Poçetino: Nuk fitohet kështu! Unë si Vengeri? Do doja të bisedoja gjatë me të

Mauricio Poçetino po bën një punë fantastike prej pesë vitesh me Totenhemin. Ekipi i argjentinasit renditet në vendin e tretë në kampionat me 48 pikë, gjashtë më pak se Liverpuli kryesues. Të gjithë flasin për një gare titulli midis të kuqve dhe Mançester Sitit, por “Spurs” janë aty për të përfituar, pavarësisht se trajneri e mendon tepër të vështirë.

Drejtuesit e klubit nuk bënë fare merkato në verë dhe Poçetino e quan thelbësore faktin për të përforcuar ekipin. Nëse kjo gjë nuk ndodh, ekipi i tij mund të përfundojë si Arsenali i Arsen Venger. Francezi qëndroi 22 vite në stolin e “topçinjve” dhe Poçetino shpreh kënaqësinë për t’u takuar një ditë me të dhe për ta pyetur për disa gjëra, që i tregon në prononcimin e tij për “The Sun”.

KËRKESA – “Ka vetëm një mënyrë për të konkurruar me katër ekipet e para në kampionat dhe, për momentin, ne nuk po punojmë në këtë drejtim. Po sillemi tamam si para pesë vitesh, kur unë erdha te Totenhemi. Për të fituar duhen bërë investime të mëdha në lojtarë. Kam parë një renditje të investimeve në dhjetë vitet e fundit dhe ne renditemi shumë poshtë. Nëse flasim për fitimin e titullit kampion, duhet të fuqizojmë ekipin me blerje.”

KRAHASIMI – “Po ndodh ajo që ndodhi me Arsenalin e Vengerit. Vjen një moment kur ndërton stadiumin, harxhon shumë para dhe në fund nuk fiton. Njerëzit të kërkojnë të fitosh, por ti nuk i ke të njëjtat karta si klubet e tjera për t’ia dalë mbanë.”

VENGER – “Është fantastike kur qëndron kaq gjatë në një klub. Përveçse një trajner i mirë, duhet të jesh dhe një person fantastik për të bërë një gjë të tillë. Do të më pëlqente të bisedoja një ditë me të dhe ta pyesja nëse ka qenë një zgjedhje e drejtë të sillesh në këtë mënyrë në respekt të klubit. Gjithashtu do isha kurioz ta pyesja nëse e ka bërë të lumtur apo jo, mënyra me të cilën përfundoi aventura e tij me Arsenalin. Nga këndvështrimi im nuk ishte një gjë e bukur mënyra se si njerëzit e trajtuan në fund…”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *