Po vjen derbi londinez, ja 5 lojtarët për t’u parë

Derbi mes Arsenalit dhe Totenhamit është ndeshja më e ndjekur në ishull këto vitet e fundit, duke lënë mbrapa edhe klasiken Junajtid-Liverpul

Premier League të shtunën do të ndizet flakë nga derbi i Londrës, Arsenal-Totenham. Skuadra e Mauricio Poçetinos ka fituar 2-0 në përballjen e fundit me “Topçinjtë”. “Gjelat” aktualisht renditen në vendin e tretë në kampionat, në kuotën e 23 pikëve, ndërsa Arsenali në vendin e gjashtë me 4 pikë më pak. Këtë sezon, derbi i Londrës është një mundësi e mirë për disa futbollistë që të tregojnë vlerat e tyre.

Lakazet – I ardhur në Londër për shifrën e 52 milionë paundëve, Lakazet po zhvillon një sezon të mirë me ekipin e Arsenalit. Ka shënuar 6 gola në 9 takime në Premier Ligë dhe është një nga favoritët për të fituar çmimin e golashënuesit në kampionat. Sulmuesi kërkon të gjejë rrugën e golit edhe në derbi, për të treguar se është një nga lojtarët më të mirë në kampionatin anglez.

Sisoko – Pa diskutim që mesfushori i Totenhamit është një “mister” për shumicën e tifozëve në Angli. Ai është një lojtar që nuk ruan një formë të vazhdueshme dhe shpeshherë është lënë në stol nga tekniku Poçetino. Sisoko u transferua nga Njukasëll për shifrën e 32 milionë paundëve, pasi zhvilloi një  kampionat evropian fantastik me Francën në “Euro 2016”, ku arriti deri në finale. Dukej se ekipi i Totenhamit kishte marrë në skuadër një lojtar të fortë, të shpejtë dhe të aftë të fitonte ndeshje, por francezi dështoi në sezonin e parë, duke shënuar vetëm një gol. Sisoko pritet të startojë kundër Arsenalit dhe ndoshta ky është shansi që i duhej 28-vjeçarit për të treguar se është një lojtar i kalibrit të lartë.

Xhaka – Granit Xhaka u transferua tek Arsenali me një pritshmëri të lartë. Pas dëmtimit të Kazorlës dhe largimit të Artetës, “Topçinjtë” kishin nevojë për një mesfushor i cili duhej të udhëhiqte ekipin drejt fitoreve. Tekniku Venger zgjodhi Xhakën, që në atë kohë luante në kampionatin gjerman. Mesfushori me origjinë shqiptare njihet për grintën në mesfushë dhe për pasimet e gjata me këmbën e tij të majtë. 25-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më konstant që Arsenali ka pasur këto dy sezonet e fundit, duke u aktivizuar në 43 takime në Premier Ligë. Ka akoma njerëz që nuk besojnë tek aftësitë e Xhakës dhe kjo ndeshje mund t’iu tregojë atyre të kundërtën.

Uinks – Mesfushori 21-vjeçar, Uinks është krahasuar me lojtarin e Barcelonës, Andres Iniesta. Uinks ka përfituar nga mundësia që i ka dhënë Poçetino këtë sezon, duke shkëlqyer si në kampionat, ashtu edhe me kombëtaren angleze të futbollit. Vetëm 21-vjeç, por i aftë të driblojë lojtarë dhe të ndërtojë aksione të rrezikshme nga hiçi. Një talent i madh për Anglinë dhe e ardhmja e tij duket e ndritur. Nëse mesfushori bën një paraqitje të mirë dhe në derbi, ai do të marrë vëmendjen e shumë ekipeve.             

Uilsher – I rikthyer nga dëmtimet, mesfushori Uilsher kërkon të jetë një lojtar kryesor për planet e Vengerit. 25-vjeçari duket se ka lënë mbrapa periudhën më negative të karrierës së tij dhe është gati për të luajtur në ndeshje të rëndësishme. Nuk dihet nëse francezi do e aktivizojë mesfushorin, por nëse Uilsher do të jetë në formacion, pa diskutim që do të jetë lojtari që do të ndiqet më së shumti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *