Po nëse luhej në Korçë?

Skënderbeu barazoi mbrëmë ndaj Jang Bojs. Rezultat i mirë, përtej mënyrës si shkoi loja, sepse Skënderbeu tregoi në radhë të parë se është një ekip me mentalitet evropian dhe nëse kundërshtari ia “vjedh” barazimin, kjo është fitorja më e madhe. Iku koha e humbjeve dinjitoze, e “aq e kemi fuqinë”, e “jemi tepër të vegjël në Europë”. Jo, Skënderbeu vlen dhe nëse disa klube në Superiore e imitojnë, pas pak vitesh nuk do kemi nevojë të abonohemi në televizionet me pagesë vetëm për Premier Ligën, La Ligën, Serinë A dhe Bundesligën.

Megjithatë, edhe Skënderbeu e ka një “njollë”. Ishte e dhimbshme të shihje mbrëmë një “Elbasan Arena” thuajse bosh. Moti i keq ishte një arsye madhore, natyrisht, por edhe distanca e madhe Elbasan-Korçë.

Imagjinoni pak nëse do të luhej në Korçë: a do t’i frenonte korçarët shiu i djeshëm? Vështirë, sepse Skënderbeu aktual të bën të shkosh me qejf në stadium, të themi të vërtetën.

Problemi është vetëm një: stadiumi Skënderbeu. Gjithnjë e më shumë klubi korçar po e kupton rëndësinë e një stadiumi modern, sepse duke luajtur që në gusht në Elbasan, ka humbur miliona nga biletat (vetëm mbrëmë do ishin shitur të paktën 6000-7000 bileta nëse luhej në Korçë), por ka humbur edhe “zjarrin” e tifozerisë, që do t’i jepte një dorë të madhe skuadrës. Kujtoni Skënderbeu-Kairat Almati në Korçë, por edhe ndeshjet kundër Mladës e Dinamos së Zagrebit në Elbasan. Stadiumet plot! A mund të thotë ndokush se Skënderbeu i djeshëm do të ishte i njëjti nëse do të luhej në një stadium të tejmbushur në Korçë? Vështirë.

Nga Korça vijnë sinjale se së shpejti do të nisin punimet për rikonstruksionin e stadiumit. Realisht, nëse ekziston vullneti dhe ndihma e bashkisë dhe shtetit, nuk duhet ndonjë sforcim kolosal, sepse stadiumi është, nuk do rindërtohet si “Qemal Stafa”.

Për të bërë një krahasim: Skënderbeu luajti në stadiumin e Mladës para pak kohësh. Stadiumi i klubit cek, M?stský stadion, është vetëm 5000-vendësh. Kush e ka parë edhe në televizion, apo ka qenë aty, me siguri ka thënë: stadium normal, nuk ka ndonjë gjë të madhe. E pra, ai stadium shërben edhe për ndeshjen e grupeve në Europa League, aty ka luajtur Mlada gjithnjë.

Skënderbeu në Elbasan, Kukësi në Elbasan, Partizani në një “Selman Stërmasi” ku nuk lejohet të luhet me drita… Këto janë humbjet e vërteta të futbollit shqiptar, jo rezultatet në fushë, që për hir të së vërtetës, duhet të jenë edhe më të mira për klubet e tjera, sepse Skënderbeu e ka mbushur dhe tejkaluar detyrimin ndaj vetes dhe tifozëve.

Stadiumi i Mlada Boleslavit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *