Po kjo ishte vepër arti! Di Maria dhe goli për kornizë, as Ikardi nuk ngelet pas te PSG

PSG-ja nuk ka asnjë konkurrent në kampionat dhe ky është një fakt i ditur prej kohësh. Pavarësisht ndonjë hapi të gabuar që mund të vijë, në fund titulli shkon vetëm në duart e tyre.

Sigurisht që “Champions League” është një çështje më komplekse dhe jo gjithmonë fiton ai që investon më shumë në futboll. Por me lojtarët që ka në këtë sezon, më tepër pritet nga kjo skuadër.

Në mbrëmjen e sotme ka ardhur edhe fitorja me rezultatin 1-4 ndaj Nices në transfertë. Me një Di Maria që ishte në një formë të jashtëzakonshme dhe bëri gjithçka, kundërshtarët duhej vetëm që të uleshin në tribuna dhe ta duartrokisnin pasi ishte një…”vepër arti”.

Një top i kapur fare pak me të majtën e Di Marias, që i shkon si parabël portierit kundërshtar. Ky ishte goli i dytë në këtë takim për PSG-në dhe për futbollistin argjentinas, pasi kishte shënuar edhe më herët. Gjithashtu edhe në golin e tretë kishte gjithë meritat për zhvillimin e aksionit.

Megjithatë as Mauro Ikardi nuk ngelet pas, që në golin e parë të Di Marias ka dhuruar një pasim fantastik për të nxjerrë bllof kundërshtarin. Ndërsa goli i fundit që erdhi nga Ikardi, ishte një formalitet për t’u mbyllur pas Mbape e nxorri me portën e boshatisur. /Sport Ekspres/