Po i beson “verbërisht”, Gatuzo flet pas gabimeve të Hysajt: Ishte shumë naiv te kartoni i kuq

Elseid Hysaj ka pasur një mbrëmje krejtësisht për t’u harruar në Kupën e Italisë ndaj Lacios. Brenda 19 minutash, mbrojtësi shkodran ka marrë dy kartonë të verdhë dhe ka shkaktuar një penallti. Fatmirësisht për ekipin e Napolit është marrë fitorja në shifrat 1-0, për shkak se edhe te miqtë do të ndëshkohej Leiva me të kuq në minutën e 25.

Që nga ardhja e Gatuzos në stolin e Napolit, ka pasur një besim “të verbër” për Hysajn, që thuajse të gjitha ndeshjet i ka luajtur si titullar. Gabimet e sotme ndaj Lacios janë të pafalashme për futbollistin shqiptar, teksa kur do të merrte kartonin e dytë të verdhë dhe te faulli i dytë i tij, Imobile gjendej në mesfushë dhe ndërhyrja ishte e pakuptimtë.

“Kartoni i kuq? Kam parë gjëra të mira dhe kemi bërë shumë veprime pozitive në këtë ndeshje. Hysaj është treguar shumë naiv te faulli i dytë. Të shikoj lojtarët jashtë stadiumit, duke parë ndeshjen nga stoli, më vjen vërtet shumë keq. Shpresoj se të gjithë do të jenë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre”, ka thënë Gatuzo. /Sport Ekspres/