“Po bëj edhe punë që as i mendoja ndonjëherë”, flet Erjon Bogdani: Bisedime me 2 ekipe si trajner

Erjon Bogdani ka qenë i pranishëm në emisionin “Studio Sprint”, që transmetohet në emisionin “ABC News”. Atje është folur edhe për të ardhmen e figurës së njohur të Shqipërisë, përpos momentit që po kalon Italia nga Koronavirusi dhe që vetë Bogdani ka folur në shumë raste në media. Kështu sipas asaj që e thotë vetë “Bogu”, ka pasur diskutime me dy skuadra përpara se gjithçka të mbyllej nga Koronavirusi.

“Ka interesa të mëdha ekonomike. Në Itali janë shumë të rëndësishme kisha dhe futbolli. Tani po flasim për dy gjëra që kalojnë në plan të dytë. Tani plani është të mposhtim virusin, që po merr jetë njerëzish. Këtu nuk lejohet të dalë jashtë. Është e vështirë të fillojë kampionati në këtë situatë.

Karantina është shumë e vështirë për ne, nuk jemi mësuar. Ka edhe diçka të mirë, po rrimë me fëmijët. Unë kam dy fëmijë, djali 10 vjeç dhe goca tetë muajsh. Tani po bëj edhe ndonjë punë shtëpie që as e kisha menduar se do e bëja ndonjëherë.

Kam nisur të mendoj diçka për të ardhmen si trajner. Kisha 2-3 diskutime me disa skuadra para se të ndodhte kjo situatë. Të mposhtim virusin njëherë. Për momentin është bllokuar gjithçka prej situatës së krijuar nga virusi. Do flas me presidentët që kam folur më përpara”, ka thënë Bogdani. /Sport Ekspres/