Plotësohet Luftëtari, gati edhe Shkurtaj e Bregu

Gjirokastritët do të kenë vetëm mungesën e kapitenit Beqiri për shkak kartonësh. Drejtori sportiv Çavo thekson se në kampionatin tonë ka ndërprerje shumë të gjata

Gëzim Beqiri

E diela ishte pushim për futbollistët e Luftëtarit, të cilët sot do të kthehen në stërvitje me dy seanca në ditë. Shtyrja e ndeshjes së radhës nga e mërkura për të dielën i jep më shumë kohë stafit teknik të bëjë përgatitjet e duhura për një fitore ndaj Lushnjës, por ajo që konsiderohet e favorshme për skuadrën gjirokastrite është se nga kjo kohë do të rikuperojë disa futbollistë të dëmtuar, siç janë Bregu dhe Shkurtaj. Shkurtaj ka munguar në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa Bregu nuk luajti ndaj Skënderbeut. Probleme fizike kanë edhe të tjerë futbollistë, më shumë Rroca dhe Xhekson, por pas disa seancave fizioterapie në Greqi do të jenë të gatshëm të luajnë titullarë ndaj Lushnjës. Mungesa e vetme do të jetë ajo e Orjad Beqirit, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

ÇAVO – Ndërprerja e kampionatit ishte e detyrueshme për shkak të impenjimit të ekipit kombëtar në miqësoren ndaj Norvegjisë, por pa shumë sqarime ishte shtyrja nga e mërkura për të dielën. Për drejtorin teknik të Luftëtarit, Vangjel Çavon, nuk është arsye ajo që mendohet se qëndron, kushtet atmosferike. Sipas tij, po luhen ndeshjet e Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë, por edhe të ekipeve të moshave. Çavo thekson se periudha e pushimit mes kampionateve është shumë e gjatë. “Kjo ndërprerje kaq e gjatë e futbollit të luajtur praktikohet në vende me tjetër klimë, kryesisht në Rusi dhe vendet skandinave. Për Shqipërinë është shumë kohë e gjatë. Në kushtet e Ballkanit nuk ka pse ekipet të qëndrojnë më shumë se 40 ditë pa zhvilluar ndeshje, sepse kjo ndikon në cilësinë e lojës. Konkretisht, kushtet e motit në periudhën që ekipet ishin pushim, ishin më të favorshme se në muajt shkurt dhe mars. Në rastin e tanishëm, Luftëtarit po i bën mirë kjo ndërprerje dhe nuk bëhet fjalë për përgatitjet fizike apo taktike, sepse kjo është e përbashkët për të gjitha ekipet, për ta shfrytëzuar kohën në dispozicion për riaftësimin e disa futbollistëve që kanë munguar në ndeshjet e fundit”, – është shprehur Çavo.

Rroca, Xhekson, Bregu dhe Shkurtaj do të mungonin ndaj Lushnjës, por në dyshim ishin edhe Rapa dhe Ramadani. Me vetëm një mungesë nga titullarët, Luftëtari do ta ketë më të lehtë fitoren ndaj Lushnjës dhe në vazhdim të pretendojë fitoret ndaj Teutës dhe Laçit, ndeshje që do t’i zhvillojë në Gjirokastër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *