Plas tek Bajerni, Roben: Dua të luaj, më mirë të mos flas!

Holandezi: “Dua të luaj në Champions, jam 34 vjeç. Nëse i nxjerr të gjitha çfarë kam në zemër, të nesërmen përfundoj në zyrat e Rumeniges”.

Rrufe në qiell të hapur tek Bajerni i Mynihut. Teksa bavarezët kanë shpartalluar 5-0 Beshiktashin, duke hipotekuar kualifikimin për në çerekfinalet Ligës së Kampioneve, ka pasur dhe nga ata që e kanë përjetuar jo këndshëm mbrëmjen gala të Bajernit. Fjala është për rezervistin Arjen Roben.

Holandez, i i ashpër – Holandezi “fluturues” i bavarezëve ka qenë një nga të paktët lojtarë të Bajernit, i cili ka dalë kokulur nga “Allianz Arena” të martën në mbrëmje. Arsyeja është e thjeshtë: vendimi i Jup Hajnkesit për ta lënë në stol nuk i ka pëlqyer aspak 34-vjeçarit, i cili ka shpërthyer pas ndeshjes. Megjithatë pa e kaluar vijën e kuqe… “Çdo fjalë që do të nxirrja nga goja në këtë moment do të ishte e tepërt. Nëse do t’i lejoja emocionet e mia të rridhnin lirshëm, të jeni të bindur se të nesërmen do ta gjeja veten në zyrën e drejtorit Salihamixhiç, ose në zyrën e shefit Rumenige. ndaj në këtë rast është më mirë të mos flas”- ka thënë Roben për “Sport1”. Më tej holandezi ka vijuar: “Unë jam profesionist, për më shumë 34 vjeç. Këto janë ndeshjet për të cilat jetoj. Dhe kur nuk luan, pa dyshim që keqardhja është e madhe.”

Jup me dorë të hekurt – Roben nuk ka qenë i vetmi që e ka nisur nga stoli takimin kundër Beshiktashit. Edhe Frenk Riberi ka pasur fatin e tij. Francezi është futur si zëvendësues në pjesën e dytë (81’), ndërsa holandezi që në të parën (44’) pas dëmtimit të Hames Rodrigez. Pas reagimit të ashpër të Roben ka qenë trajneri i Bajernit që është përgjigjur. “Që një lojtar nuk është i kënaqur që nuk e aktivizoj që nga minuta e parë, kjo është e kuptueshme. Edhe për mua. Por unë jam trajneri, mua më duhet të menaxhoj ekipin dhe unë vendos formacionin. Unë bëj atë që më duket e drejtë. Të gjithë duhet të pranojnë vendimet e mia dhe pikë”- ka thënë Hajnkes.

Hënes “ruhet” nga tripleta – Fitorja 5-0 ndaj Beshiktashit ka krijuar një atmosferë të ngrohtë në Mynih, por presidenti Hënes është munduar të frenojë euforinë. Pyetjes në lidhje me tripletën e mundshme ai i është përgjigjur: “Mos më pyesni për tripletën. Kjo nuk është normale. Ne duhet të mendojmë tur pas tyri, ndeshje pas ndeshje. falë fitores 5-0 jemi në pozita të favorshme për të shkuar në çerekfinale. Më pas të shohim se çfarë do të ndodhë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *