Plas te Kukësi, Cungu mendon dorëheqjen: Nuk ka shpresë!

Armando Cungu ka shpërthyer! Trajneri i Kukësit, pas humbjes 5-2 në Gjeorgji, në një intervistë të dhënë për “RTSH Sport”, me gazetaren Hygerta Sako, nuk është përmbajtur, por ka nxjerrë gjithçka mbante përbrenda…

“Golat që pësuam ishin amatoreskë. Kemi probleme serioze në çdo repart. Nuk më vjen mirë të flas kështu, sigurisht, por gjërat duhen thënë ashtu si janë. Duhen njerëzit e duhur. E njoh Kukësin që në themel, por mund të them me plot gojë që ky është Kukësi më i shëmtuar që ka qenë ndonjëherë…”.

Më pas, trajneri vijon: “Kompozimi i ekipit, pra futbollistët e ardhur, nuk janë të duhurit… Erdha për të kontribuar, sepse mendoja se ekipi që ka dalë kampion përpara dy sezonesh dhe ka marrë pjesë në Europë sistematikisht këto vitet e fundit, do të bënte mjaft mirë. Madje, mbaja mend Kukësin që kaloi katër ture në Europë me mua në stol”.

“Ky nuk është Kukësi që duhet të jetë!”.

Trajneri ka diçka edhe për mënyrën e lojës: “Na thanë që në Shkodër, ndaj Karabakut, luajtëm në mbrojtje dhe jo futboll, por mesa duket duhet të luanim ashtu. Më pëlqen të fitoj 7-0 apo 10-0, por nuk i kemi mundësi, jo me këtë skuadër dhe lojtarë. Themeli fillon nga porta dhe mbrojtja. Kurse ne duam të shkojmë në çati, kur themelet lëkunden…”.

Shkodrani vijon diskutimin e tij: “Ekip pa ekuilibër dhe i brishtë. Duhet të luanim me kujdes. Duhet të pranosh humbjen me dinjitet, por ne nuk patëm dinjitet. Rexhinaldo më pëlqeu dhe e justifikoj, sepse mbërriti në 4 të mëngjesit dhe bëri ndeshje të mirë. Por, nuk mjaftojnë dy apo tre individë. Zbresin  në fushë 11 lojtarë”.

A ka shanse për përmbysje? “Jam tip që nuk pranoj humbjen dhe dorëzimin, të paktën deri në pikën e fundit. Gjithçka ndodh në futboll, por kur ke ekip të harmonizuar dhe me ekuilibra, mund të ëndërrosh, por si ky Kukës me probleme, shumë e vështirë dhe gati e pamundur”.

“Më duhet të them që Europa nuk më interson, sidomos pasi pashë rrugën. Kam parë më shumë se si do të jemi për kampiont, që nis pas 9 ditësh. Nuk jemi akoma të plotë për kampionat”.

“A do të kërkoj largime lojtarësh? Nuk jam i nervozuar, por mërzitur. Erdha me dëshirën më të madhe, me ftesën e presidentit Gjici dhe mendova se do të gjeja një klub dhe skuadër siç edhe e lashë dikur, por pashë një Kukës tjetër. Nuk do të kisha pranuar ftesën e Gjicit nëse do të ishte kështu”.

Në fund, fjalia e bujshme: “Duhet të shoh nëse vijnë lojtarë të tjerë, kemi nevojë në çdo repart. Jam gati të ndihmoj presidentin. Pretendimet e Kukësit duhet të jenë madhore, steka e lartë, por kështu si jemi nuk kemi shpresa për kampion. Ndaj, do të rishoh zgjedhjet e mia”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *