Plas në Korçë, Jorgos kërkon me ngulm rikthimin

2

Shefja e klubit “Skënderbeu”, Tatjana Marash, me “Grealin” në dorë nuk ja doli të përballojë debatin me sportistin rekordmen, Dhimitri Jorgos

Leonard Trebicka 

Ka ditë e javë të tëra, madje ka qenë gazeta “Sport Ekspres” që ka nisur e para debatin mes rekordmenit të vendit në hedhjen e diskut Dhimitri Jorgos dhe shefes së klubit shumësportësh “Skënderbeu” Tatjana Marash. Debat që zgjati vërtet shumë dhe vazhdon edhe këto ditë, madje edhe në mediet elektronike. Ka qenë Dhimitri Jorgos (Beni Cepa) që ka nxjerrë një mal me pretendime ndaj Marash, e cila vazhdon “gjoja” të pretendojë se zbaton ligjin. Por që ndërkohë duket se ka qenë ajo inisiatorja kryesore e largimit të Dhimitri Jorgos nga sporti i atletikës. Mes “malit” të akuzave dhe kundërakuzave, Jorgos duket se është kthyer në një “idhull” në qytetin e Korçës, teksa shumë shpejt pritet që të mblidhet edhe Këshilli Bashkiak, enkas për të sqaruar mbi çështjen e Marash. Shefes që ka çuar të gjitha sportet e Korçës në vendet e fundit në renditje dhe sa për atletikën e ka katandisur në gradën e fundi. Për të mos thënë se pritet shumë shpejt një audit nga Tirana enkas për të kontrolluar shefen e klubit, që është futur në një debat që nuk duket se do të dalë më. Dhimitri Jorgos ka çuar së pari, edhe pas debatit në emisionin “Zonë e Lirë”, një falenderim për “Sport Ekspres”, gazetë që bëri e para publike çështjen e largimit të një sportisti rekordmen nga ana e klubit “Skënderbeu”. E kjo për hir të një shefeje klubi që donte ta bënte dhe arriti të bindte edhe Asamblenë e Atletikës që sportistët mbi 35 vjeç të mos marrin më pjesë në gara. Ndërkohë që sot në sportet e tjera numëron sportistë pafund mbi 40 vjeç e më shumë se kaq.

Falënderimi – Jorgos në një prononcim të djeshëm për Sport Ekspres ka deklaruar: “Së pari ju falënderoj ju si media që keni qenë dhe jeni vazhdimisht në ndihmë të sportistëve shqiptarë, sepse ne sportistët, të paktën për momentin, kaq kemi nevojë. Ju falënderoj dhe dua të them se, që pas debatit të fundit që bëra në emisionin televiziv “Zonë e Lirë”, me të shkelur në qytetin e vendlindjes sime, pata reagime më shumë se pozitive nga të gjithë qyteti. Më kanë falënderuar sepse në fund të fundit doli një sportiest që të qante hallet e sportit. Gjatë takimeve që kam pasur me miqtë e mi korçarë, duke më falënderuar personalisht, unë jam shprehur që duhet falenderuar gazeta “Sport Ekspres” dhe emisioni “Zonë e Lirë”, të cilët e nxorën “gjarprin nga vrima”. Me këtë dua të them që shefja e klubit Marash doli dhe e mori përgjigjen e merituar nga gjithë shqiptarët, ata që e duan me zemër sportin. Dua të sqaroj opinionin sportiv për dekonspirimin e deklaratës që shefja i bëri klubit “Vllaznia”, ku miqtë nuk shiten, ose nuk goditen prapa krahëve. Edhe njëherë dua të sqaroj të gjithë për lidhjen time që kam me klubin “Vllaznia”. Kam pasur dhe vazhdoj të kem respektin më të madh për drejtuesit e këtij klubi, që në një kohë rekord përpara një viti më bënë federimin dhe u jam shumë mirënjohës. Mua më kanë respektuar dhe do t’i respektoj pafundësisht shkodranët. Sa për shefen e klubit i them që do të vazhdoj të kërkoj të drejtën time legjitime deri në fund. Sepse, edhe pse jam 52 vjeç, do të vazhdoj të mos kursehem për sportin me të cili kam lindur. Edhe njëherë dua të falënderoj miqtë tim shkodranë, të cilët deri më sot më kanë bërë nderin më të madh, atë që nuk ma ka bërë Korça për shumë vite. Kanë qenë dhe do të mbeten miqtë e mi më të mirë. Ju lutem atyre të mos bien pre e “intrigave” të shefes së klubit “Skënderbeu”. Po e mbyll falënderimin duke shpallur respektin ndaj shefit të klubit shkodran dhe sportistëve kampionë e rekordmenë të klubit “Vllaznia”. Këmbëngulja – Këto kanë qenë disa nga fjalët e djeshme të rekordmenit Dhimitri Jorgos, që sigurisht vazhdon të kërkojë me forcë që të lihet të garojë, madje nuk kërkon asnjë qindarkë nga ana e klubit korçar. Por edhe pse kështu përsëri shefja e klubit, Tatjana Marash, nuk e lë të garojë. Për këtë Jorgos vazhdon të deklarojë: “Do t’i drejtohem edhe Këshillit Bashkiak të Korçës për të kërkuar për problemet e sportit korçar për të cilin kam gati edhe një listë të gjatë e gjitha kushtuar klubit që e ka katandisur Skënderbeun emblemë të shqiptarëve si mos më keq. Do t’i lutem edhe njëherë Federatës Shqiptare të Atletikës dhe asamblesë së kësaj federate që të marrë në konsideratë kërkesën e tre atletëve (Emiljana Ciko, Genc Lugja dhe unë personalisht). Të rishikojnë vendimin e marrë dhe të lejojë sa më parë këta sportistë, por edhe shumë të tjera që kanë dëshirë të vazhdojnë sportin sa të kenë forcë dhe vullnet nga Zoti. Besoj që Federata e Atletikës dhe asambleja e saj do të pranojë kërkesën e këtyre tre sportistëve”. Në këtë mënyrë Jorgos vazhdon të ketë mbështetjen e të gjithëve që të kthehet në garat e atletikës, ndërkohë që shefja e klubit duket se është futur në siklet, pasi çështja duket se ka kaluar deri në organet më të larta. Jorgos vazhdon të kërkojë rikthimin me shumë këmbëngulje.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image