Planet e Skënderbeut, me strategji të qartë në CAS!

Korçarët nuk kanë ndërmend të përsërisin gabimin e dy viteve më parë. Avokati ka dhënë garanci maksimale për fitimin e çështjes. Klubi i sigurt për pjesëmarrjen në Champions

Leonard Trebicka

Skënderbeu ka mbaruar punë me titullin kampion, pritet vetëm festa zyrtaren ndeshjen pas ndeshjes me Vllazninë. Për finalen e Kupës së Shqipërisë me Laçin ka kohë, ndaj dhe ajo që u intereson më shumë në këtë moment tifozëve të Skënderbeut ka të bëjë me atë që do të ndodhë me CAS-in, që do të vendosë në lidhje me dënimin e skuadrës korçare nga UEFA.

PROCEDURA – Presidenti Ardjan Takaj dhe drejtuesit e tjerë të klubit janë shumë të qetë në lidhje me këtë çështje, madje ata e konsiderojnë të sigurt pjesëmarrjen e skuadrës së tyre në UEFA Champions League. Por në faqen zyrtare të UEFA-s figuron Kukësi, ndaj dhe tifozët janë të shqetësuar. Por kjo është diçka normale, sepse në fuqi është vendimi i UEFA-s për përjashtimin e ekipit korçar nga kompeticionet europiane. Drejtues të klubit korçar mohojnë faktin që në Champions do të luajë Kukësi dhe se UEFA njeh këtë ekip nga Shqipëria për kompeticionin madhor në rang klubesh. Gjithçka që u intereson drejtuesve të Skënderbeut në këtë moment është çështja e CAS-it? Po cila është procedura në vazhdim dhe kur priten ta ankimojnë korçarët çështjen? Cila është strategjia që klubi juglindor do të ndjekë në vazhdim. “Sport Ekspres” zbulon si do të veprojë Skënderbeu hap pah hapi në javët në vazhdim.

CAS-I – Pas vendimit të UEFA-s javë më parë, që e dënoi Skënderbeun me 10 vite përjashtim nga kupat e Europës, ishte radha e Apelit të UEFA-s, që u mblodh dhe la në fuqi vendimin e parë. Studioja ligjore që ka pajtuar Skënderbeu në Zvicër është gati ta ankimojë këtë çështje në CAS. Gazeta mëson se në fund të këtij muaji Skënderbeu do të trokasë në dyert e CAS-it për të filluar procesin e ankimimit. Kështu, duhen pritur edhe dy javë të tjera që avokatët e mbrojtjes së Skënderbeut të paraqiten në zyrat e Komisionit të Arbitrazhit Sportiv. Kjo ndodh edhe për faktin se Skënderbeu këtë herë nuk dëshiron të “digjet” si dy vite më parë, kur nuk luajti në Europë. Në atë kohë, avokati që do të mbrojë edhe këtë vit Skënderbeun në CAS, i bëri të ditur presidentit Ardjan Takaj se nuk duhej ta ankimonte çështjen, pasi e kishte të humbur. Por drejtuesit Skënderbeut, me dëshirën për të luajtur në Champions, e bënë një gjë të tillë dhe e humbën çështjen. Këtë vit gjërat janë krejt ndryshe. Është po ky avokat që ka garantuar 100% se Skënderbeu do ta fitojë çështjen në CAS, prandaj korçarët po ndjekin të gjitha procedurat e rekomanduara prej tij. Tani hapi i par është ankimimi dhe ende nuk ka një datë të saktë.

UEFA – Por çfarë do të ndodhë me UEFA-n, a do ta njohë ajo skuadrën e re kampione të Shqipërisë? Shkallët ligjore të çështjes së dënimit të saj ndaj korçarëve nuk kanë përfunduar. Këtu qëndron problemi. UEFA, në momentin që Skënderbeu do të shkojë në CAS, në fundin e këtij muaji, do të kërkojë një proces të përshpejtuar, atë që bënë korçarët dy vite më parë. Kjo ndodh për faktin se më 18 qershor hidhet edhe shorti i Championsit. Pasi Skënderbeu të dorëzojë dosjen voluminoze në CAS ,do të ketë së pari një takim mes dy palëve në atë që quhet dhoma e zgjidhjes së konflikteve. UEFA-s dhe Skënderbeut paraprakisht do t’u jepet mundësia ta mbyllin me marrëveshje këtë çështje dhe nëse palët nuk arrijnë akordin, CAS-i do të fillojë procedurat. Gjasat janë që marrëveshje nuk do të ketë, pasi UEFA nuk mund t’ia heqë dënimin Skënderbeut dhe korçarët nuk pranojnë asnjë dënim prej saj. Procedura në CAS do të zgjasë nga 4-6 muaj dhe do të thotë se minimumi në muajin shtator dhe maksimumi muajin nëntor do të kemi një vendim të formës së prerë nga CAS-i.

AVOKATËT – Janë avokatët e Skënderbeut ata që kanë dhënë garanci maksimale për fitore dhe për këtë kanë javë të tëra që po punojnë. Mësohet se ata kanë gjetur shkelje nga UEFA në lidhje me dënimin 10-vjeçar që ky institucion ka dhënë ndaj Skënderbeut, pasi nuk ka asnjë fakt për këtë dënim. Skënderbeu dyshohet për trukime, por vetëm me dyshim nuk mund të dënosh një skuadër. Katër ndeshjet europiane, ku ka dyshime për Skënderbeun, janë analizuar nga avokatët deri në detaje, madje çdo sekondë që vërteton se nuk ka asnjë tolerim apo diçka tjetër. Nuk ka fakte për shumat financiare që janë hedhur dhe se ku janë hedhur, pasi UEFA nuk e ka një gjë të tillë, ndaj dhe avokatët e Skënderbeut kanë shumë besim se do të fitojnë në CAS.

DËMSHPËRBLIMI – Sipas klubit “Skënderbeu”, këtë verë skuadra do të marrë pjesë në Champions, por ka edhe një plan tjetër nga UEFA. Organi më i lartë i futbollit europian mund të mos e përfshijë Skënderbeun në short, por në rast se Skënderbeu fiton në CAS, flitet për shumë të mëdha euro që i takojnë klubit korçar si dëmshpërblim. A do ta bëjë UEFA një gabim të tillë? Edhe kjo mbetet për t’u parë, por dihet që juristët e saj janë shumë të kujdesshëm në këtë drejtim. Sipas klubit korçar, vendimi i CAS-it do të jepet pak a shumë në muajt shtator-nëntor dhe Skënderbeut do t’i takojë të luajë në Champions. Ky është plani i klubit korçar dhe në qytetin juglindor duhet të presin me ankth se çfarë do të ndodhë në vazhdim. Nga studioja ligjore ka garanci, por asnjëherë nuk mund të flitet me siguri të plotë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *