Plaku ende i dëmtuar, por do sakrifikojë në Shkodër

Mungon japonezi Masato Fukui, kurse kapiteni kërkon me ngulm të jetë në fushë të mërkurën, për të ndihmuar skuadrën e tij

Kamza ka një ndeshje shumë të rëndësishëm nesër, pasi mund të vendoset fati i një sezoni të tërë. Në transfertën e Shkodrës luhet mbijetesa. Kamza ndodhet vetëm 2 pikë para kuqebluve në klasifikim dhe pritet të jetë një ndeshje tejet e vështirë, sepse të dyja skuadrat e kanë si finale. Kur duhen dhe 4 javë nga fundi i kampionatit, një fitore për Kamzën në këtë sfidë do të ishte  garanci për qëndrimin mes më të mirëve të Shqipërisë edhe për një tjetër sezon. Për këtë ndeshje nuk do të jetë i gatshëm Masato Fukui, i cili u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Luftëtarit dhe është i skualifikuar. Trajneri Ahmataj ka vijuar dje përgatitjet, ku ka dhënë këshillat e radhës për të tijtë. Pas fitores me Lushnjën, skuadra nga periferia e kryeqytetit nuk ka mundur të marrë më shumë se dy barazime, ndaj tani i duhet me çdo kusht të mos humbasë në Shkodër, për të mos i ndërlikuar pozitat e saj për më tej.

PLAKU – “Kapiteni e braktis i fundit anijen”. Kështu thuhet shpesh në të tilla raste. Sebino Plaku, sulmuesi kryesor i Kamzës, i cili është edhe kapiten, nuk ishte në fushë në përballjen e fundit me gjirokastritët, pasi ka një problem fizik. Autori i 12 golave këtë sezon e ka ndihmuar shumë Kamzën me golat e tij dhe kërkon me çdo kusht të jetë në fushë të mërkurën. Duhet dhënë konfirmimi i stafit mjekësor, por me shumë gjasa 32-vjeçari do të jetë në fushë në “Loro Boriçi”. Plaku është gati të sakrifikojë e qëllimin për të dhënë kontributin e tij në një ndeshje kaq të rëndësishme. Këtë sezon sulmuesi nga kryeqyteti ka luajtur në 28 ndeshje dhe e ka marrë ekipin përdore, ndaj pritshmëritë janë maksimale për ta parë në fushë edhe në ndeshjen e nesërme. Takimi mes Vllaznisë dhe Kamzës është programuar për t’u zhvilluar të mërkurën, në orën 19:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *