Plaku e Avdyli në kor: Jemi të rënduar, sot vjen kthesa!

Kamza është në udhëkryq. Lojtarët nuk paguhen prej muajsh dhe në takimin e fundit me Partizanin disa prej tyre as nuk zbritën në fushën e lojës. Mesazhi ishte i qartë për drejtuesit e klubit, që duhet të bashkëpunojnë dhe të shlyejnë futbollistët.

Kapiteni Sebino Plaku pranon problemet, teksa për “Supersport” shprehet: “Vetë situata është e ngarkuar. Është në vazhdën e ngjarjeve. Kemi pretenduar që kemi bashkëpunim me bashkinë dhe presidentin Qarri. Kemi dëgjuar që kryetari i Bashkisë nuk dëshiron të bashkëpunojë. Kjo situatë u reflektua edhe në ndeshjen me Partizanin”.

“Unë jam kapiten dhe në shumë raste më duhet të bëj edhe ndërmjetësin. Kemi marrë një premtim nga presidenti Qarri. Do të vazhdojmë dhe do të harrojmë gjithçka,  të japim maksimumin. Një gol në fushën kundërshtare mund të na ndihmojë që të kualifikohemi.

Për atë që po ndodh te Kamza ka folur edhe portieri Ilir Avdyli: “Situata jonë është e vështirë, jemi të rënduar psikologjikisht. Kemi marrë garanci nga presidenti që financat do të shlyhen në ditët në vazhdim. Do të jap maksimumin siç kam bërë deri tani. Shpresoj që ta kalojmë këtë tur, na mjafton një gol. Mund të rezultojë kthesa e sezonit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *