“Plaga” e zakonshme, Duro: Arbitrat të bëjnë kujdes!

Trajneri vlerëson Skënderbeun, ndërkohë që ka një mesazh për gjyqtarët Hamiti dhe Xhaja: E kanë nisur keq “zanatin”, janë në fillim të karrierës

Elton Nika

Skënderbeu-Flamurtari është ndeshja më e rëndësishme e javës dhe luhet sot, duke ngritur kështu siparin e javës së 19-të. Flamurtari shkon në Korçë në rolin e sfidantit me synimin për të ngushtuar, ose të paktën ruajtur, diferencën e pikëve që ka aktualisht me Skënderbeun kryesues. Nuk është vendimtare për titullin, sikurse janë shprehur të gjithë nga të dy kampet, por kuptohet që ka peshën e vet në ecurinë e mëtejshme. Një sfidë që rikthen rivalitetin i disa viteve në parë mes korçarëve dhe vlonjatëve në garën e titullit. Trajneri Shpëtim Duro ka pohuar në konferencën e djeshme për shtyp se në Korçë luhet një transfertë shumë e rëndësishme, por jo vendimtare. Ai ka prekur edhe temën e gjyqtarëve, ndërkohë që vlerëson Skënderbeun dhe thotë se Flamurtari nuk e ka presionin e titullit.

– Duro, një ndeshje shumë e vështirë kjo me Skënderbeun në Korçë. Sa ndikon për titullin kampion?

– Flamurtari nuk e ka aspak presionin e titullit. Që në nisje të sezonit kemi theksuar se rëndësi ka ndeshja e radhës dhe kështu do të jetë deri në fund. Natyrisht, është në ndeshje shumë e rëndësishme dhe e fortë, ndaj një kundërshtari shumë cilësor si Skënderbeu, një ekip mjaft i organizuar. E ka treguar vitet e fundit dhe aktualisht mban vendin e parë.

– Megjithatë, një fitore e Flamurtarit do t’i bënte “nder” kampionatit, apo jo?

– Padyshim që po, por ky fakt nuk na vë nën presion. Do të shkojmë për të zhvilluar lojën tonë, për të marrë një rezultat sa më pozitiv. Kemi zhvilluar një kampionat mjaft të mirë deri tani dhe synimi ynë është të vijojmë në këtë rrugë.

– Thuhet tabunë e Kukësit, mos ka ardhur momenti për ta bërë këtë gjë edhe në Korçë, ku Flamurtari nuk fiton prej 8 vjetësh?

– Nuk i shikoj statistikat, nuk para më pëlqen. Por di të them se në Kukës kemi marrë një barazim të merituar, madje meritonin më shumë se kaq. Meritonim fitoren, duke parë mënyrën e lojës. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë në një fushë shumë të vështirë. Këtë synojmë të bëjmë edhe në Korçë ndaj Skënderbeut.

– A i druheni gjykimit në këtë ndeshje?

– Tashmë është një fakt, që ka shumë gabimet ndaj nesh. Klubi ka shpallur “non grata” gjyqtarin Xhaja për gjithë sezonin, por do të doja që kështu të kishte bërë edhe me Hamitin, i cili na gjykoi në Kukës. Nuk është rastësi ai arbitër. Do t’u thosha të dy gjyqtarëve ta lënë këtë “zanat” që kanë nisur sa nuk është vonë. Janë gjyqtarë të rinj dhe kanë potencial, por kanë startuar me diçka që nuk shkon. Nëse të tjerë gjyqtarë e kanë bërë në fund të karrierës, këta e kanë nisur shumë shpejt. Të ndryshojnë dhe mendojnë të bëjnë punën e gjyqtarit. Këtë nuk e them për faktin se i kanë bërë dëm Flamurtarit, por të gjitha skuadrave. Ta lënë futbollin të flasë në fushë.

– Kthehemi te ndeshja. Keni mungesa në Korçë?

– Na mungon Sidibe, për shkak të ndëshkimit me karton të kuq në Kukës. Është një mungesë e rëndësishme, por na mungon edhe Zhufo, që është dëmtuar dhe duket se do të mungojë disa javë.

– Kthehet Bicaj në mbrojtje, çfarë ndryshon?

– Fatmirësisht, Bicaj është gati për këtë ndeshje, pas dëmtimit ët pësuar me Partizanin. Por dua të them se Flamurtari ka në gjirin e tij lojtarë shumë të rëndësishëm, që janë gati për këtë sfidë.

– Por për Tunkara dhe Muarem, keni vendosur?

– Muarem është gati pas dëmtimit, që e la jashtë në tri ndeshjet e para të këtij viti. Tunkara do të jetë pjesë e skuadrës, por të shohim për formacionin që do të hedhim në ndeshjen me Skënderbeun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *