Pioli debutoi mes zhgënjimit te Milani: Për të ardhur keq, ndodhin edhe gjëra si ajo e fundit

Pioli e ka nisur debutimin në mënyrën më të keqe te Milani. Një barazim në shtëpi me rezultatin 2-2 ndaj Leçes dhe pas atyre paraqitjeve turpëruese të mëparshme, ky barazim vlente si një humbje.

Por Stefano Pioli është shprehur se ekipi dhe lojtarët janë paraqitur mirë. Sipas tij e gjitha ajo që u gabua, ishte se kuqezinjtë nuk shënuan golin e sigurisë dhe në futboll ndodhin episode si goli i barazimit të Leçes, që erdhi nga distanca dhe nuk kishte asnjë shans evitimi.

“Është për të ardhur keq. Pashë gjëra të mira dhe ne duhej të fitonim. Nuk e arritëm për gabimet tona. Ishte e domosdoshme të mbyllnim lojën, pasi ndodhin edhe gjëra si ai goli i fundit. Ka situata që duhet të përmirësohen. Lojtarët e Milani janë të vetëdijshëm për cilëinë e tyre dhe gati për të mbajtur veshur atë fanellë prestigjoze.

Do të ketë një mënyrë për të kuptuar situatat dhe se ku kemi gabuar. Shumë bujar u treguam dhe kjo bëri që të mos fitonim një ndeshje të merituar nga ne. Po prisja takimin me kuriozitet dhe ka shumë element pozitivë që do të të merren me vete. Ekipi bëri gjithçka për fitore”, ka thënë Pioli. /Sport Ekspres/