Piketat janë vendosur, Bajerni blen tre lojtarë

0

Bajerni e ka fituar kampionatin gjerman, por kaq nuk mjafton për rekordmenët. Synimi i tyre është suksesi në Evropë dhe sivjet morën një goditje të fortë, sepse, ndryshe nga sezonet e tjera, u skualifikuan që në çerekfinale dhe jo në katërshe. Kështu, merkatoja e verës e bavarezëve pritet të jetë me blerje të bujshme, të cilat i ka përmbledhur në vetëm tre emra “Abendzeitung”. Sipas saj, tre afrimet e Bajernit do të jenë Aleksis Sançez, Marko Verrati dhe Leon Gorecka.

Verrati

Si një lojtar i kërkuar edhe nga Barcelona, Real Madridi dhe Juventusi, Marko Verrati kushton shumë. Për të Bajerni duhet të shpenzojë mbi 60 milionë euro, edhe pse fillimisht duhet që PSG-ja ta lirojë atë. Italiani tashmë e ka fituar përvojën evropiane dhe ka për synim suksesin në Champions League, diçka që në Paris nuk e ka aq të garantuar. 24-vjeçari shihet si pasuesi i Ksabi Alonsos, por edhe si një përforcim për të shtuar fantazinë dhe shpejtësinë e aksioneve me topa të gjatë. Kontrata e tij me PSG-në skadon në vitin 2021.

Sançez

Ai është një sulmues polivalent, i aftë për të zëvendësuar Frenk Riberinë dhe Arjen Robenin, ashtu si edhe Robert Levandovskin. Lojtari i Arsenalit është 28 vjeç, por Bajerni nuk e ka mendjen te blerja e një lojtari të ri dhe shpërthyes si Antuan Grizman apo Eden Hazard, sepse duhet shpenzuar shumë. Fakti që kiliani ka edhe një vit kontratë në Londër bën që vlera e tij të jetë relativisht e ulët, rreth 40 milionë euro. Problem mund të jetë gjesti i tij i fundit gjatë ndeshjes me Stouk Sitin, ku preku stemën e Arsenalit në gjoks dhe preku tokën, si për të treguar se do të qëndrojë.

Gorecka

Gjermani është një variant më i pëlqyeshëm dhe më i lehtë për t’u afruar. Ai luan te Shalke, është 22 vjeç dhe kushton 20 milionë euro. Menaxheri i “Mbretërorëve blu”, Kristjan Hajdel, ka thënë se kalimi i mesfushorit te Bajerni është një budallallëk, por djaloshi ka edhe një vit kontratë dhe Shalke rrezikon që vitin tjetër ta humbasë me parametra zero. Tendenca është që ai të shitet që këtë verë. Gjithsej, për këta tre lojtarë, Bajerni do të duhet të paguajë rreth 120 milionë euro.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here