Peruja në delir, ekipi i fundit që kualifikohet për në Botëror

Peruja është bërë kombëtarja e fundit që kualifikohet për në Kupën e Botës, pas fitores 2-0 në ndeshjen e kthimit play-off ndaj Zelandës së Re. Në vajtje nuk pati gola, ndërsa në Peru ishte një dominim total i amerikano-jugorëve.

Xherferson Farfan shënoi në pjesën e parë dhe Kristian Ramos siguroi fitoren pas pushimit, me Puernë që shkon në Kupën e Botës për herë të parë që prej vitit 1982.

E dhjeta në renditjen botërore, Peruja do të jetë në vazon e dytë në shortin e Kupës së Botës, që do të hidhet më 1 dhjetor.

Presidenti Pedro Pablo Kuçinski ka shpallur një ditë festë kombëtare për fitoren, ndërsa në stadium biletat shiteshin deri në 700 euro copa. Pas ndeshjes, festë pa fund, ndërsa në stadium nisën edhe kore kundër Kilit, rivali i urryer që nuk do të jetë në Botëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *