Përtej Jorgjit/ Kur ndodh edhe në “Loro Boriçi”, çfarë mund të presim më shumë?

0

Pamjet e ndjekura nga “Loro Boriçi” në përballjen mes Vllaznisë dhe Tiranës, nuk është se ndodhin për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, por e ardhur në Shkodër, sigurisht që marin një vëmendje të madhe. Flasim për vendin e kulturës së madhe, vendin që gjithmonë jep shembull në Shqipëri dhe që e kthen stadiumin në një festë të gjithë qytetit.

Në përballjen e djeshme kundër Tiranës që u mbyll me rezultatin 0-2, “Loro Boriçi” tregoi dy fytyra të ndryshme. Fillimisht atë mahnitësen, teksa u stërmbush dhe na krijoi përshtypjen se ishte duke luajtur Kombëtarja. Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e tifozëve ishin të përbër nga femra të reja dhe më në moshë.

Por teksa duhej t’i gëzoheshim këtij aspekti, ndodhi ajo që të gjithë i druheshin, një tension anormal dhe një skenë që nuk duhej të gjejë vend në futbollin shqiptar dhe në Shkodër. Alibia Jorgji nuk është një arsye e mjaftueshme për të justifikuar gjithë atë katrahurën që u shkaktua në stadium, që kishte më shumë shishe ujë të hedhur sesa stola që e rrethonin.

Nuk mund të jetë arsye e mjaftueshme që tifozët të godasin me shishe lojtarët kundërshtarë kur këta të fundit u kërkojnë qetësi, apo edhe goditja e anësorit në detyrën e tij. Nuk mund të jetë arsye e mjaftueshme që në Shqipëri të vazhdojë ideja se gabimet e njerëzve, mund të zgjidhen vetëm me “dru”.

Sigurisht që arbitrimi nuk rezultoi më i miri i mundshmi dhe kishte disa gabime që kishin ndikim në takim. Por nga dy rastet e përmendura aq shumë, vetë Gilman Lika u shpreh se në një prej tyre që gjendej protagonist edhe vetë, nuk flitej për një penallti. Ndërsa në rastin e parë dhe të vetmin të ngelur për t’u diskutuar me ndërhyrjen e Çelhakës, të gjitha kritikat duhet të jenë për gabimin njerëzor të arbitrit, që gjendej thuajse 30 metra larg aksionit. Por as ky rast, nuk mund të justifikojë gjithë sjelljen e krijuar.

Madje për të parë shpërthimin e parë dhe koret ofenduese nga ana e tifozëve, do të mjaftonte vetëm një top i vonuar nga Doka për disa sekonda në fillimin e së parës. Pra, flitej për një klasike të ngarkuar shumë në anën psikologjike dhe gjithë mënyra sesi do të perceptonte situata, u tregua pikërisht me këtë rast fare të thjeshtë. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur në Shkodër që “lista e sharjeve” të nisi me një motiv kaq banal, vetëm për vonimin e lojës për disa sekonda. Këtë herë kishte dështim në pikën më të fortë, në mentalitetin që vinte nga tribuna, pastaj motivet që do të shkaktonin katrahurën, do të gjendeshin me shumicë në këtë klasike.

Por më shumë sesa këto diskutime, për t’u habitur janë edhe reagimet që vijnë nga vetë zyrtarët mes klubeve. Padyshim që nisur nga ky rast duhet të bëhet një ndarje e prerë dhe një sensibilizim i fortë, që të kuptohet se në Shqipëri asnjëherë gjërat nuk mund të zgjidhen me rrugën e sharjeve dhe dhunës, sado e madhe të duket padrejtësia. Pra nuk mund të jepet zemër dhe përkrahje për vazhdimin e të tillave situata skandaloze, sa herë një skuadër nuk është në dakortësi me vendimin e arbitrit.

Femrat që gjendeshin në atë stadium meritonin shumë më tepër. Futbolli shqiptar dhe e ardhmja meriton shumë më tepër. Nëse një skenë e tillë na vjen edhe në Shkodër, atëherë, çfarë mund të presim më shumë?  /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.