Përtej imagjinatës/ Kush dëshiron të blejë Muriqin, paguan më shumë sesa për Mauro Ikardin

Vedat Muriqi është kthyer në qendrën e vëmendjes në Turqi dhe kjo jo vetëm për shkak të golave apo formës mjaft të mirë që po tregon. Shumë është duke u komentuar së fundmi edhe për vlerën që lojtari ka në treg, diskutme këto që kanë lindur si rrjedhojë e listës së gjatë të shumë klubeve të njohura europiane që kanë kthyer sytë nga sulmuesi shqiptar. Ndësa edhe vetë presidenti i Fenerbaçes ka thënë se nuk do ta lëshojë lojtarin as për 30 milionë euro. Por pyetja që lind: “Sa do të kushtojë realisht Muriqi”?

Sipas asaj që raporton media turke “Sabah”, për të marrë shërbimet e futbollistit, Fenerbahçe kërkon një shifër përtej imagjinatës, që shkon 90-100 milion euro. Një shifër kjo në dukje e tepruar, duke marrë në konsideratë faktin se tre ndeshje janë shumë pak për të vlerësuar një lojtar me një shifër të tillë.

Edhe pse Muriqi ka lënë pas një sezon fantastik me shumë gola të shënuar, turqit shpenzuan jo më shumë se 4 milionë euro për ta sjellë në organikën e tyre. Ndërkohë me vetëm 3 ndeshje të luajtura këtë sezon dhe 2 gola të shënuar, drejtuesit e Fenerbahçe kërkojnë ta kthejnë shqiptarin në një “minierë ari”.

Kujtojmë se edhe një nga transferimet më të bujshme të kësaj vere, ai i Ikardit, nuk e arriti një shifër të tillë, pasi PSG do derdhë vetëm 70 milionë euro në fund të sezonit për zikaltërit. Argjentinasi ka qenë një sulmues që shënonte në shumë prej ndeshjeve delikate të Interit, duke u renditur edhe ndër golashënuesit më të mirë në një kampionat ku mbrojtja është pika më e fortë.

Duke marrë parasysh gjithçka më lart, ndoshta do të ishte e udhës që të vendosen shifra kur kampionati të ketë përfunduar, në mënyrë që sulmuesi shqiptar t’ia vendosë vlerën vetes me golat që do të shënojë. Për më tepër, e gjithë kjo zhurmë që pa nisur mirë sezoni ndoshta thjesht sa ndikojë negativisht për Muriqin, duke e shpërqendruar nga detyra e tij. /Sport Ekspres/