Personazh | “Gjak bardheblu”, Ardian Mema shpresa e Tiranës për t’u ringritur

Kur familja ka probleme, askush më tepër sesa pjesëtarët nuk mund t’a ndihmojnë të përmirësojnë situatën. Instikti e kërkon, që në momente të vështira, familja të gjejë mbështetje te anëtarët e saj dhe kjo nuk ndryshon as në futboll. Është “thirrja e gjakut”. Kjo ndodhi edhe me Tiranën dhe Ardian Memën.

Një jetë e kaluar si futbollist me ngjyrat e 24-herë kampionëve. Nga viti 1989 deri më 2003-in, në një prej periudhave të arta të Tiranës, duke fituar disa tituj kampion. Gjatë asaj periudhe të suksesshme, Ardian Mema luajti për 4 vjet me përfaqësuesen e Shqipërisë, për një total prej 8 ndeshjesh, ndërsa u shpall edhe pesë herë në ekipin më të mirë të kampionatit.

Plot 14 vjet në fushën e lojës me ekipin kryeqytetas, për një lidhje që është edhe më e thellë. Nga Haxhi te Osman Mema, për të vazhduar me babain e tij, Ali Mema, por edhe me Sulejman Memën dhe Klevi Memën. Një familje e lidhur prej dekadash me klubin, duke i dhuruar skuadrës dhe tifozëve kampionë dhe idhuj në fushë.

Ngjyrat bardheblu janë lëkura e Ardian Memës. I rritur me dashurinë për Tiranën dhe një jetë e kaluar në shërbim të skuadrës. Tani më tepër se asnjëherë detyrimi për ta ndihmuar klubin. Pas largimit të Ze Marias, me bardheblutë që e nisën sezonin me pretendime për kupat e Europës, ndërsa pas tetë javëve të para kanë koleksionuar dy fitore, dy barazime dhe 4 humbje dhe e shohin vetën në luftën për mbijetesë.

Ardian Mema është “gjaku bardheblu” i thirrur për të ndryshuar sezonin e Tiranës. Një njeri që e njeh shumë mirë klubin, historinë dhe mentalitetin, në të cilin ka punuar si ndihmës-trajner në vitin 2007 me Sulejman Memën dhe Astrit Hafizin, ndërsa gjatë ndryshimit në stol, e drejtoi ekipin edhe në një ndeshje. Gjithashtu një eksperiencë edhe si drejtues i stolit të Tiranës B.

Në dy sezonet e fundit ka qenë asistent i Ilir Dajës te Skënderbeu dhe deri në këtë fundjavë te Flamurtari. Për koeçidencë, misioni i tij në krye të stolit të Tiranës do të nisë pikërisht kundër njeriut me të cilin ka bashkëpunuar ngushtë në këto sezone, duke fituar gjithçka në Korçë dhe së  fundmi në stolin e vlonjatëve, skuadrës nga e cila u largua me mirëkuptim për t’iu përgjigjur thirrjes së zemrës. Sfida ka nisur dhe për të ndihmuar familjen, ndonjëherë duhet të fitosh kundër ndjenjave dhe kujtimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *