Përsëritet Stambolli, këtë radhë Liverpulin e bën Sevilja

Në historinë e Liverpulit pa dyshim që zë një vend shumë të veçantë triumfi në finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2005, kur mundi Milanin në mënyrë të çmendur: 0-3 humbiste në pushim, 3-3 pas 90 minutave dhe triumf nga 11-metërshat.

Sot Liverpuli përsëriti, por e pësoi vetë, në Sevilje. Firmino 2 herë dhe Mane shënuan 3 gola ne 30 minutat e para dhe Sevilja nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte, sepse nuk humbet prej një viti në fushën e vet.

Megjithatë, në pjesën e dytë era ndryshoi: Ben Jeder shënoi në minutat 51 e 61 dhe Pizarro në minutën e 94-t i dha pikën e merituar Seviljes, që tashmë shkon në Maribor dhe ndoshta i mjafton edhe barazimi, por nëse Liverpuli fiton ndaj Spartakut, kualifikohet me çdo rezultat. Ndërkaq, Liverpuli do të presë Spartakun duke e ditur se me barazim kualifikohet, por keqardhja është e madhe, sepse gara mund të mbyllej që sot për “The Reds”.

Në ndeshjet e tjera, Napoli mbajti gjallë shpresat për kualifikim, sepse mposhti thellësisht Shahtarin 3-0, me 3 gola në pjesën e dytë nga Insinje, Zielinski e Mertens. Tashmë Napoli duhet të fitojë në Roterdam ndaj Fejenordit, por gjithashtu pret një nder nga Mançester Siti, që do të shkojë në Ukrainë pa asnjë synim madhor, sepse sot luajti me shumë rezerva në fitoren 1-0 ndaj Fejenordit dhe e ka fituar grupin.

Në grupin H Totenhemi fitoi 2-1 me përmbysje në Dortmund dhe kalon së bashku me Realin, duke fituar grupin, ndërsa Dortmundi diskuton ende vendin e dytë me Apoelin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *