“Persekutimi” vazhdon, Kaçe mbetet i burgosur në Greqi!

0

 

Fanella me shkrimin UÇK “vendos” merkaton dhe ndryshon të ardhmen e mesfushorit, që mbetet në tokën helene, duke firmosur për 6 muaj të Panathinaikosi. Tifozët e APOEL-it e kthyen mbrapsht

Anton Cicani

Anton CicaniNëse Ergys Kaçe do të përshkruhej me një personazh mitologjik të historisë së lashtë greke, aty ku edhe është rritur dhe ku luan që prej fëmijërisë së tij, padiskutim që ai do të ishte Sizifi. i dënuar nga Zotat, ose më saktë, Zeusi, që vendosi se ai duhet të ngrinte gjithmonë një gurë në majën e një kodre dhe sa herë që mbërrinte aty, guri rrokullisej dhe rikthehej sërish poshtë, aty ku gjithçka kishte nisur… Sigurisht, në ndryshim nga Sizifi, Ergysi nuk kundërshtoi asnjë “Zot” ose “Hyjni” greke, por ka vetëm një gabim, nëse mund të quhet i tillë: veshi një fanellë me stemën e UÇK-s (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), duke ngjallur urrejtjen racore dhe gjeopolitike të grekëve, por edhe të çdo lloj etnie që Kosovën nuk mund ta pranojë si të pavarur dhe e çliruar nga tutela e Serbisë. Ajo fanellë do të kthehej në persekutim për të, aq sa dështoi edhe transferimi i fundit që do të ishte në Qipro, Nikozia, te skuadra e APOEL-it, ku e priste një kontratë huazimi për 6 muaj, pasi trajneri që e rriti në Selanik, Jorgos Donis e kishte kërkuar. Kaçe qëndroi vetëm një natë në Nikozia, teksa priste të hidhte firmën. Pikërisht ajo firmë nuk erdhi, pasi presidenti i klubit qipriot nuk kishte ndër mend të vihej kundër tifozerisë së zjarrtë, që kishin kërcënuar masa ekstreme nëse një futbollist që kishte veshur fanellën e ushtrisë që luftoi për pavarësinë e Kosovës dhe vrau edhe serbë, do të vishte atë të një ekipi grek, sepse Nikozia është 80% të etnisë greke, teksa vetëm 20% i përket Turqisë. Me sa duket, edhe për ata qenka temë mjaft delikate dhe lidhja Qipro-Greqi-Serbi është tepër e fortë.

Panathinaikos – Ergys Kaçe është rikthyer në Greqi, ku dje ka firmosur me skuadrën greke të Panathinaikosit, aty ku edhe Bledar Kola i ka telefonuar dhe i ka thënë të provojë veten te ekipi i Athinës, edhe pse nuk i ka premtuar blerjen në fund të sezonit. Motivi është i thjeshtë: Panathinaikosi është në një situatë financiare delikate dhe për të ardhur keq, aq sa bankat mund t’i ngrinë shumën e parave që kanë të depozituar. Vështirësitë ekonomike kanë shtyrë dy presidentët të negociojnë (PAOK-Panathiniakos), teksa “Sport Ekspres” ka mësuar se rroga e mesfushorit kuqezi do të paguhet përgjysmë nga të dy klubet. Sakaq, formula është huazim për 6 muaj me të drejtë blerje për 400 mijë euro, shifër e cila nuk do të paguhet nga ekipi i Athinës. Sakaq, PAOK shpreson që Kaçe të shkëlqejë dhe kthehet në nivelet e tij, për ta shitur jashtë Greqie, aty ku edhe dëshiron të ikë Ergysi. Ndoshta, duke menduar për kampionate të tjera, si Francë, Gjermani, apo edhe në Serinë B italiane.

Shqipëria – Sakaq, Ergys Kaçe, që është sonduar edhe nga disa skuadra në Superligë, si Kukësi dhe Skënderbeu, nuk ka pranuar për asnjë moment të luajë në vendin tonë, aq sa ka thënë se do të preferonte të qëndron në Selanik, te PAOK, aty ku këtë sezon ka zbritur në fushë vetëm 4 ndeshje kampionati, duke koleksionuar vetëm dy të verdhë. Gjithashtu edhe 34 minuta në kupë. Kukësi, madje, sezonin e shkuar, ishte gati t’i ofronte 200 mijë euro rrogë, por mesfushori nuk pranoi, ndërsa për Skënderbeun ishte vetëm një sugjestion merkatoje.

Kombëtarja – Për Ergys Kaçen, natyrisht, objektivi më i madh është kombëtarja e Shqipërisë, pasi aty dëshiron që të kthehet një ditë ai, duke dalë nga labirinti ku edhe ka hyrë, pa e kuptuar. Në fakt, deri tani, lojtari nuk ka bërë asnjë përçapje për të ndryshuar, të paktën në impenjim dhe karakter Madje, huazimi te Viktoria Plzen tregoi se nuk ishte gati as për të lënë Greqinë. Edhe De Biazi, dikur, pati thënë se “Kaçe do një shkelm b…, sepse më shumë se kaq nuk kam se çfarë t’i bëj”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.