Përse Mavraj nuk mund të jetë kapiten i Shqipërisë?

0

Opinion nga: Gjergji Stefa

Trajneri De Biazi do të udhëtojë gjatë shkurtit në Hamburg për një drekë punë me mbrojtësin e Përfaqësueses, Mërgim Mavraj, raporti me të cilin ka pësuar një krisje jo dhe aq të pakonsiderueshme përpara dhe gjatë ndeshjes me Izraelin. Kushedi pse pikërisht përpara asaj sfide në kampin kuqezi është rihapur diskutimi në lidhje me njeriun që do mbajë shiritin pas këtij edicioni, periudhë që përkon ndoshta me tërheqjen nga Kombëtarja të Ansi Agollit, kapitenit aktual. Sigurisht që debate në këtë moment në parim ka qenë i pavlerë. Ata që e kanë ambicien e shiritit mund të kishin pritur një moment tjetër, përpara se të krijojnë situata në sezon e sipër. Në mënyrë krejtësisht organike shiriti mbahet nga Agolli, më i vjetri në përfaqësuese, kapiten në Europian në sfidat kundër Francës e Rumanisë, në mungesë të Canës. E parë kështu, debati i nisur në këtë moment është minimalisht një mungesë respekti ndaj Agollit.

E ardhmja mesa duket ka projektuar si kapiten Elseid Hysajn. E Biazi e ka thënë në mënyrë indirekte shpesh një gjë të tillë, ndërkohë që Cana kur mori kartonin e kuq me Zvicrën ia vuri në krah shiritin mbrojtësit të Napolit. Pastaj Hysaj është praktikisht lojtari me kuotat më të larta në arenën ndërkombëtare, është ende i ri, rreth 23 vjeç, dhe është ndoshta shqiptari më i klikuar, duke qenë se luan për një skuadër si Napoli që vetëm së afërmi do luajë në Champions kundër Realit.

E gjitha kjo mesa duket ka bezdisur të tjerët, madje më së shumti Mavrajn. Ky i fundit ka pasur debate me trajnerin dhe me lojtarët për këtë arsye para ndeshjes me Izraelin dhe kjo u reflektua dhe në fushë. Mavraj dukej sikur ecte pa dëshirë në tapet, ndërsa Berisha ishte gjithashtu nervoz. Thonë që De Biazi dëshironte madje ta ndërronte Mërgimin, por u ndal vetëm nga një kujdes i tepruar për të mos bërë publik një debat me një lojtar të rëndësishëm në skuadër.

Pyetja që shtrohet në këto momente është nëse Mavraj e meriton apo jo një pretendim të tillë. Sigurisht që është lojtar i rëndësishëm, luan në një kampionat të madh dhe në përgjithësi ka dhënë gjithçka sa herë i është dhënë mundësia të luajë me përfaqësuesen. Por e shkuara e tij në raport me zgjedhjen kuqezi e penalizon për këtë gjë. Mavraj u bë zyrtarisht shqiptar në vitin 2007, por pas pak muajsh ai pati një debat të hapur me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit sepse po refuzonte të vinte dhe të luante. Asokohe Duka tha: “Të kthejë pasaportën, nuk ia kemi dhënë atë të bëjë xhiro, por të vijë të luajë futboll me ne”. Situata u përsërit në 2011, kur fillimisht Mavraj tha po, madje iu pre dhe bileta e avionit, por më pas kërkoi sërish kohë duke refuzuar. Asokohe sapo kishte luajtur një miqësore me Under-21 të Gjermanisë dhe mesa duket kishte ende shpresë që mund të luante me “dojçat”. Në atë moment tifozët kuqezi nxorën madje një pankartë “Mavraj prostitutë” dhe në përgjithësi opinioni publik kishte zemërim ndaj sjelljes së tij.

Mavraj erdhi në përfaqësuese në kohën e De Biazit dhe në atë moment FSHF, trajneri dhe media bënë një pakt për ta trajtuar me elegancë zgjedhjen e tij dhe për të mos e kujtuar shpesh të shkuarën jo dhe aq brilante në raportet kuqezi.

Një gjë e tillë pati efekt, të shkuara të harruara dhe në këto vite Mavraj u kthye në një lider. Por deri te shiriti jo, morali nuk mund ta bëjë kapiten të Përfaqësueses. Aq shumë herë sa e ka refuzuar Kombëtaren, si mund të pretendosh më pas një gjë të tillë?

Ndërkohë e fundit, por sigurisht delikate: Mavraj është një besimtar mysliman, një i tillë shumë, po jashtëzakonisht shumë i ekspozuar, aq sa shpesh në privat dhe jo vetëm ka pranuar hapur një lloj dualizmi që ndjen brenda vetes me fenë tjetër përfaqësuese të shqiptarëve. A është normale që në një vend ku gjithnjë kemi pretenduar se “feja e shqiptarit është shqiptaria” të përfaqësohemi nga një frymë e tillë me një shirit në krah? Zoti më faltë, por Mavraj nuk mund të jetë kapiten i gjithë shqiptarëve.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here