Përse gjithmonë…Xhaka? Polemikat e ndjekin vetë, ndodh edhe te goli i Manchester United

Manchester United ka barazuar me rezultatin 1-1 ndaj Arsenalit, në ndeshjen e “Premier League” që është mbyllur në mbrëmjen e sotme. Në golin e parë të “djajëve të kuq”, ka sërish polemika për kapitenin Granit Xhakën.

Pas gjuajtjes së fuqishme nga McTominay, shihet Granit Xhaka që kërkon të ndërhyjë me kokë, por del huq. Megjithëse asgjë për fajin e tij, pamja e përsëritur e golit i jep mjaftueshëm material tifozëve të irrituar prej kohësh, që të nisin talljet në “Twitter”.

Shumë komente negative kanë shpërthyer menjëherë në rrjetet sociale. Prej muajsh shumë prej tifozëve të Arsenalit kanë kërkuar që t’i hiqet shiriti mesfushorit me origjinë shqiptare. Pas kësaj që ndodhi në ndeshjen e sotme, zërat do të shtohen në masë edhe më të madhe. Tashmë mund të thuhet lehtësisht ajo shprehja e famshme e Balotelit: “Përse gjithmonë…unë(Xhaka)?”. /Sport Ekspres/