Përralla paraguaiane e Ovelar, 14-vjeçari shënon në derbin më të madh në vend

0

Viti i largët 1906, përkon me vitin e nisjes së kampionatit të parë të futbollit në Paraguai. Futbolli në atë kohë nuk kishte shumë klube dhe kampionati përbëhej nga 5 ekipe. 29 vite më vonë, në vitin 1935, në Paraguai do të niste kampionati i parë profesionist, pasi tashmë liga përbëhej nga 10 klube. Momentalisht klubi më i trofeshëm në vendin amerikano-latin është ekipi i Olimpias, të cilët ndiqen nga Cerro Porteno.

Siç kuptohet edhe derbi më i madh i futbollit paraguaian është ai midis, Olimpias dhe Cerros. Rivaliteti i dy klubeve është mjaft i madh, teksa kanë diskutuar kampionatin mes tyre, plot 73 herë. Olimpia, që ndryshe e quajnë “Rey de Copas”, pra mbretërit e kupave, numërojnë plot 41 tituj kampion të Premiera Division, teksa ajo që i bën të krenohen janë triumfet në “Copa Libertadores”. Kupa më e rëndësishme në Amerikën Latine, ekuivalentja e Championsit për Evropën është fituar plot tre herë nga Olimpia.

Ndërkohë nga ana tjetër rivalët e Cerros, numërojnë 32 tituj kampion në Premiera dhe janë skuadra e dytë më e madhe në Paraguai. Klubi i krijuar në vitin e largët 1912, mban emrin Cerro Porteno, për shkak të luftës në atë kohë midis argjentinasve dhe paraguaianëve, ku beteja e asaj kohe njihet si “Beteja e Cerro Portenos”.

Rivaliteti i dy klubeve është mjaft i ashpër prej vitesh, pasi skuadra e Cerros ndryshe njihet si “el club del pueblo”, pra klubi i njerëzve të thjeshtë, ku tifozët më të shumtë janë nga shtresa e ulët. Ndërsa, Olimpia gjithmonë ka pasur mbështetje nga njerëz të shtresave të larta. Nisur dhe nga ky fakt, në Paraguai Cerro njihet si klubi më me shumë tifozë në vend.

Dy kampionatet e fundit kanë pasur si kampion një rivalët e përjetshëm. Momentalisht sezonin që po luhet, Olimpia kryeson Premiera Division me 39 pikë, 7 më shumë se rivalët e Cerros. Mbrëmjen e kaluar u luajt derbi numër 427 mes dy ekipeve. Sfida u mbyll në barazim 2-2, spektakël, gola, kartonë të kuq dhe një ndeshje që u luajt deri në minutën e 103. Jo më kot mban dhe petkun e derbit më të madh në vend.

Përveç faktit të golave, barazimit spektakolar, rivalitetit në shkallët e stadiumit dhe çdo gjëje tjetër, mbrëmjen e shkuar ndodhi diçka që zor se mund të përsëritet për shumë kohë dhe jo vetëm në Paraguaji, por kudo. Ndeshja nis me gol për miqtë e Cerros, mjaftuan vetëm 16 minuta lojë, teksa sulmuesi që mban mbi shpinë numrin 17-të, Fernando Fabian Ovelar Martinez shënon dhe ngre peshë tifozët miq.

Deri këtu asgjë e veçantë, futbollisti ka shënuar një gol në derbi edhe kaq. Dëshiroj të shtoj pak më shumë, ndoshta mund t’u bëjë pak më shumë përshtypje. Ishte ndeshja e dytë që luante me fanellën e ekipit të tij dhe goli i parë me fanellën e Cerros. Ndoshta duhet të shtoj pak më shumë. Fernando Ovelar ditën e nesërme, mbush 14 vite e 10 muaj që kur ka ardhur në jetë. Është 14 vjeç, nuk ka asnjë ngatresë dhe festoi si i çmendur golin në debutimin e tij si titullar.


Kërkoi pasimin që erdhi nga këmbët e Huan Aguilar dhe mposhti portierin e Olimpias me një qetësi të pabesueshme. Gol me parabël dhe në derbin më të madh në vend, ku të nesërmen në mëngjes e presin bankat e shkollë për t’u ulur dhe për të dëgjuar mësimin. Përralla e Fernando Ovelar duket se sapo ka nisur, ndoshta mund të dëgjojmë shumë shpejt për të. Ndoshta dhe mund të përfundojë me kaq, por të shënosh një gol në derbi në moshën 14-vjeçare është diçka që ndodh një herë në jetë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.