Përralla e dy motrave, Mançester Siti nderon tifozet e “përjetshme”

Mançester Siti fitoi ditën e djeshme në kampionat përballë Fulhemit me rezultatin 3-0, por ajo që ra në sy të të gjithëve ishte prania e dy tifozëve speciale të ekipit para fillimit të sfidës. Ato quhen Vera Kohen dhe Ollga Halon. Janë motra, Vera është 102 vjeçe, ndërsa Ollga është 98.

Të dyja janë tifoze të zjarrta të Mançester Sitit dhe janë të abonuara që nga viti… 1930. Plot 88 vite në stadium në mbështetje të ekipit të zemrës dhe dy motrat janë legjenda të tifozërisë së “qytetarëve”.

Drejtuesit e klubit kanë vendosur t’iu dhurojë disa emocione dhe të shoqëruar nga nipat e tyre dhe David Silva e Fernardinjo, Vera dhe Ollga kanë zbritur me ekipin në “Etihad Stadium”, ku kanë përfituar për t’i dhënë një përqafim të ngrohtë trajnerit Pep Guardiola. Emocione unik për gratë e moshuara, por dhe për gjithë stadiumin.

Klubi ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku thur elozhe për dy motrat duke komentuar: “Ollga 98 vjeç dhe Vera 102 vjeç ishin sot të pranishme në mesin e maskotave tanë. ‘Blues’ për 85 vite rresht”.

Vitin e kaluar dy motrat e famshme u nderuan nga kapiteni Vinsent Kompani në rastin e fushatës “Nuk jemi asgjë pa ju”. Përveç pasionit të tyre për Mançester Sitin, motrat janë të impenjuar dhe në aspektin social, siç deklaron nipi i Verës, David Goldsmith. “Gjyshja ime është një legjendë. Ajo ka mbledhur rreth 23 mijë paund për spitalin ‘Christie’ në Mançester”.

Pavarësisht kësaj, Vera dhe Ollga nuk janë tifozet më të vjetra në historinë e futbollit. Rekordi i përket Bernard Xhons, i cili është një tifoz i thekur i Preston dhe vazhdon ta ndjekë ekipin e tij dhe në moshën 105-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *