Përplasje në “Farie Hoti”, sulmohet Algert Gjonaj

0

 

“Fanatiksat” bardheblu, të cilët sipas klubit janë provokuar nga basketbollisti i Vllaznisë në fundin e lojës, janë kapur me ish-basketbollistin e tyre. Versioni i shkodranëve: Lojtari shkoi të takonte të vëllanë. Ndërhyrja energjike e drejtuesve të Tiranës shmang katrahurën

Gjergj Vyshka

Tirana – Vllaznia 50-62

(12-14, 16-12, 10- 19, 12-17)

Tirana: Vogli (16), Sukaj (15), Lasku (9), Hasani (6), Hysa (2)/Gjyzeli (2), Vaqarri, Lilaj, Mara Trajner: R.Avrami

Vllaznia: Rrashketa (2), Bërdica (10), Arra (11), Faslija (7), Gjonaj (15)/Alen (8), Taraboshi, Xhokoviç (7), Huti Trajner: B.Gjeçaj

Gjyqtarë: G.Cici, G.Hoxha (Tiranë), E.Hoxhaj (Vlorë)

Fundi i ndeshjes së basketbollit të meshkujve mes Tiranës dhe Vllaznisë, që dje në mbrëmje është luajtur në sallën sportive “Farie Hoti”, është kthyer në një arenë “boksi”. Ndërsa lojtarët e Tiranës kanë shkuar për t’u përshëndetur me ultrasit e tyre, të cilët për asnjë moment nuk kanë pushuar së mbështeturi, e kur të gjithë po largoheshin nga salla sportive, është dëgjuar një zhurmë e madhe rrëmuje. Ultrasit janë në parket, ndërsa janë në ndjekje të basketbollistit të Vllaznisë, Algert Gjonaj, që deri në janar ka qenë pjesë e Tiranës. Falë vrapit të shpejtë basketbollisti ka shkuar në dhomat e zhveshjes. Ka goditje të portës së hekurit me shqelma, që ndan fushën me dhomat e zhveshjes e menjëherë është lajmëruar policia, e cila më pas ka mbërritur me forca të përforcuara. E vërteta është se dje kryendeshja e basketbollit të meshkujve, Tirana-Vllaznia, është luajtur vetëm me një polic, ndërsa Farie Hoti ishte në kapacitetin maksimal të shikuesve. Jo vetëm kaq, por një polic për vetëm rreth 100 ultras të Tiranës ka qenë shumë pak. Vetëm ndërhyrja energjike e drejtuesve të klubit Tirana, veçanërisht inspektorit Flamur Alimehmeti e më pas dhe shefit të klubit, Pirro Koleka, ka shmangur katrahurën, e cila mund të kishte qenë edhe më e rëndë. Sipas bardhebluve, Gjonaj ka provokuar tifozët, të cilët në fakt që nga mesi i periodës së tretë e deri në fund kanë pasur ofendime karshi lojtarëve kuqeblu. Por versioni i shkodranëve është se Gjonaj ka shkuar në fundin e lojës të takojë të vëllanë, i cili gjendej në pjesën e tribunës ku ishin dhe fanatiksat. Një shembull i keq, ndërsa vetëm nëpërmjet policëve basketbollistët e Vllaznisë janë larguar qetësisht nga Farie Hoti. Por ngjarja në fund ka pasur dhe të tjera zhvillime.

Probleme të tjera – E vërteta është se atmosfera e ndezur në “Farie Hoti” ka qenë e denjë për një kryendeshje të basketbollit të meshkujve. Këngët e Fanatiksave nuk kanë pushuar për asnjë moment. Por gjatë ndeshjes ka pasur dhe flakadanë, të cilët e kanë bërë jo vetëm të vështirë pamjen në “Farie Hoti”, por ka shkuar deri në mjegull. Aq sa është kërkuar hapja e dritareve që të ikte tymi dhe era e keqe. E vërteta është se, konstatuar kjo dhe nga vëzhguesi i ndeshjes, Jorgji Shundi, salla sportive “Farie Hoti” vijon të mos shfaqë sigurinë e duhur për njerëzit. Sepse në të largqoftë në një rast rënie zjarri, apo dhe të një përplasjeje tifozësh, siç ishte dhe dje, nuk ka asnjë dalje të shpejtë. Por vetëm hedhje nga dritaret. Përtej kësaj, gjithçka që ka ndodhur dje më së shumti duket se ka qenë në dëm të Tiranës së Roland Avramit, e cila karikuar së tepërmi e ka pasur të vështirë të dalë në lojën e saj më të mirë. Vllaznia është shkëputur që në fillim në 0-8 dhe më pas periodën e parë e ka mbyllur 12-14. Tirana e fiton periodën e dytë 16-12 dhe në pushim është në avantazh 28-20. Por vetëm kaq, sepse kuqeblutë pasi kanë fituar dy periodat e tjera, 10-19 dhe 12-17, e kanë mbyllur ndeshje 50-62. Duke ikur nga Tirana me një fitore me vlera. Veçse sherri i tifozëve me Gjonajn lë një njollë të madhe për bardheblutë…

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.