Përplasja e tifozëve, “Guerrilsat” shkulën stolat

0

Ka pasur incidente në stadiumin “Flamurtari” gjatë pjesës së dytë të takimit Flamurtari-Partizani. Të dyja tifozeritë, jo grupimi “Flota kuqezi”, por tifozët e vendosur në tribunën A, janë përplasur me tifozët e Partizanit. Ka mjaftuar një shishe uji e hedhur nga ana e tifozëve të Partizanit, që solli më pas reagimin e vlonjatëve. Janë shkëmbyer gurë nga të dyja krahët. Në një moment, tifozët e Partizanit kanë shpërthyer, duke shkulur dhe hedhur drejt fushës stolat e tribunës anësore, ku ishin vendosur. Për minuta të tëra situata u duk se doli thuajse jashtë kontrollit, ndërkohë që prania e policisë në stadium ishte në një numër të konsiderueshëm, madje kishte përforcime edhe nga FNSH-ja. Sharjet kanë qenë të zakonshme, ndërsa gurët nuk kanë munguar për disa minuta nga të dy krahët. Për një moment, edhe në tribunën qendrore ka pasur reagim kundër tifozëve të Partizanit. Nga delegati i ndeshjes është kërkuar të spostohen tifozët e Partizanit.

KAPITENËT – Në situatën e krijuar nga incidentet, gjyqtari Blerim Ziri e ka ndërprerë lojën për disa minuta, duke kërkuar ndërhyrjen e dy kapitenëve, Telushit dhe Hoxhës, të cilët janë drejtuar drejt dy tiofozërive përkatëse për ta qetësuar disi situatën. Megjithatë, deri në fund të ndeshjes, të dyja tifozëritë kanë vazhduar me sharje kundër njëri-tjetrit.

Vetëm 45 minuta pas ndeshjes, tifozët e Partizanit janë larguar nga stadiumi nën masa të rrepta të forcave të policisë. Tre autobusët e tifozave të Partizanit janë vendosur pranë dyerve të stadiumit dhe rreth orës 21:35 janë larguar. Ata janë shoqëruar deri në dalje të Vlorës nga forca të shumta të policisë dhe FNSH-së. Tifozët e Partizanit kanë goditur me sende të forta edhe drejt gazetarëve, të cilët ndodheshin afër tyre në momentin e daljes nga stadiumi.

TË VEÇANTA

– Nuk kanë munguar batutat gjatë ndeshjes në Vlorë: O Sulë, Laçi të do! Sula para Laçi! Nxirrini jashtë këta tifozët e Partizanit, kudo ku shkojnë krijojnë probleme! O Duro, fute Nezirajn!

– Largimi i lojtarëve të Partizanit nga fusha është shoqëruar edhe me vërshëllima, ndërsa ka ardhur edhe një thirrje: Provoni prapë vitin tjetër.

– Asnjë nga trajnerët, si Starova, ashtu edhe Duro, nuk i kanë komentuar incidentet e ndodhura mes tifozërivë në shkallët e stadiumit. Në përfundim të ndeshjes, Starova është drejtuar drejt stolit të Flamurtarit, duke u takuar me Duron dhe stafin vlonjat.  

– Trajneri i Partizanit çaloi jo pak gjatë gjithë ndeshjes, për shkak të dhimbjes në këmbë.

– Kalari, i cili kishte lënë fushën, në rastin e Bardhit ka dalë nga stoli dhe ka përplasur një shishe me ujë dhe peshqirin në sheh. Një reagim, që nga tribuna “VIP” është shoqëruar me thirrje kundër Kalarit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here