Përplasja e orarit të stërvitjes, Laçi 200 metra tutje Moldes

Jemi mësuar të shohim dy skuadra që stërviten në të njëjtin orar dhe në dy fusha që i ndan vetëm një rrjetë. Ndodh në Kamzë kështu, ose në Pezë-Helmës, ku dy fushat ndahen nga një tribunë e vogël. Tashmë edhe Laçi e Molde do të stërviten një ditë para ndeshjes në një distancë prej… 200 metrash.

Të dyja ekipet kanë programuar të kryejnë seancën e fundit prej orës 17:00, që përkon edhe me orarin e ndeshjes. Kurbinasit kanë “hapur rrugë” dhe do të zhvendosen në aneksin sportiv pranë stadiumit. Sigurisht miku do respektuar dhe është detyrim.

Kështu, Solskajer me skuadrën e tij do të stërviten në stadium prej orës 17:00, kurse Laçi në fushën stërvitore pranë stadiumit. Rreth një orë përgatitje, këtë herë më lehtë, pasi ndeshja luhet vetëm 24 orë më pas.

Në Laç do tentojnë të vënë në vështirësi norvegjezët, të cilët janë komodë pas fitores 3-0 të arritur në shtëpi me bardhezinjtë e drejtuar nga Besnik Prenga. Mbetet për t’u parë se si trajneri mirditor do e rreshtojë skuadrën e tij ditën e nesërme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *