Përmbysje dhe rekord, PSG shkëlqen në sytë e legjendës Xhordan

0

Paris Seint Zhermen nuk ka rivalë në Francë. Kjo kuptohet fare lehtë nga yjet që kampionët në fuqi kanë në skuadër, ndërsa diferencat me rivalët e tjerë në fushën e lojës janë të frikshme. Kjo u konfirmua edhe në ndeshjen e javës së shtatë të Ligue 1, përballë Reims.

Edhe pse kaluan të parët në avantazh, pas vetëm 2 minutave lojë me Çavalerin, parizienët u kthyen shumë shpejt në lojë. Edinson Kavani riktheu barazpeshën në të 5-ën, ndërsa Nejmar me penallti dhe sërish Kavani në fundin e pjesës së parë përmbysën rezultatin në 3-1.

Goli i Munier vulosi suksesin 4-1 të PSG, që vendos edhe një rekord absolut për klubin. Me këtë sukses, kampionët e Francës ruajtën ecurinë perfekte në këtë start të sezonit, ndërsa për herë të parë në histori kanë fituar shtatë ndeshjet e para të kampionatit francez. Primat përbën edhe fakti, që të shtatë ndeshjet e kampionatit, kryeqytetasit i kanë fituar me tre ose më tepër gola të realizuar.

Fitore, spektakël, dominim dhe rekord, të gjitha në një ndeshje. Gjithçka në sytë e tifozit special, të pranishëm në stadiumin “Parc des Princes”, me legjendën e basketbollit Majkëll Xhordan, që e ndoqi ndeshjen nga tribuna. Pa rivalë!

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.