Përjashtohet Abaz Karakaçi, Noka bën presion para finales

0

Probleme para ndeshjes me Kamzën. Largohet mesfushori shkodran, ndërkohë numri një i klubit u bën presion kamzalinjve: Prisni 2 mijë tifozë

Përjashtohet nga radhët e Besëlidhjes mesfushori Abaz Karakaci, këtë e konfirmon trajneri Alban Bruka. Gjatë fundit të stërvitjes kishte kundërshtuar urdhrat e trajnerit, ky i fundit e ka larguar nga stërvitja. Më pas presidenti Gjokë Noka i ka komunikuar ndërprerjen e kontratës për thyerje disiplinore. Mesfushori u bë pjesë e lezhjanëve në janar, kur tërhoqi dokumentacionin nga Kastrioti, skuadër me të cilën u aktivizua për gjashtë muaj. Karakaçi është lojtari i katërt që largohet nga Besëlidhja, teksa në pjesën e parë të sezonit u larguan Xhemalaj e Goxhaj, ndërsa pas ndeshjes me Kamzën u largua Senad Lekaj.

NOKA – Para ndeshjes me Kamzën, presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka, ka dhënë një deklaratë për “Sport Ekspres”, teksa është shprehur se skuadra e tij do luftojë deri në fund për Superioren. Gjithashtu në krahun tjetër ka kërkuar nga klubi organizator që të marrë masa për 2 mijë tifozët që do të ushtojnë nga Lezha. “Shkojmë në Kamzë për të luajtur ndeshjen e fundit, një sfidë që e kemi vlerësuar, pasi është takimi që vendos fatet e këtyre dy skuadrave për sezonin e ardhshëm. Kemi një objektiv, që është ngjitja në Superiore dhe për këtë do të luftojmë deri në sekondën e fundit. E kam theksuar disa herë dhe nuk do të resht deri në fund, se ne kërkojmë që takimi të zhvillohet në një atmosferë optimale, pa presione e njëanshmëri dhe rezultati le të dalë nga loja në fushë. Fitoftë më i miri dhe më i pagabueshmi. Kërkoj nga pala organizatore e ndeshjes të jetë e përgatitur për të pritur 2000 tifozë, që do të udhëtojnë nga Lezha për të mbështetur skuadrën e tyre, pasi është detyrim i tyre”, shprehet Noka.

ARBITRI – Presidenti Noka para pak ditëve bëri publike kërkesën e tij për të pasur gjyqtarë të huaj, por kjo duket se nuk do të ndodhë, por ndërkohë mësohet se lezhjanët kanë bërë një kërkesë në FSHF që përballjen e tyre me Kamzën të mos e gjykojë lushnjari Laver Alla. Diçka të tillë e konfirmon drejtori teknik i Besëlidhjes, durrsaku Kristi Memi.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here