Përfundon “ferri”, Aliji gjen shpëtim në Serinë B!

Pas sponsorizimit të trajnerit kuqezi Panuçi (“Më duket shumë e çuditshme që është pa ekip. Unë e konsideroj të rëndësishëm), mbrojtësi gjen ekip në Itali, ku rritet kolonia e shqiptarëve

Anton Cicani

21 maj 2017… Ndeshja e fundit zyrtare e Naser Alijit me një klub futbolli, teksa vishte fanellën e Kaiserslauternit në kategorinë e dytë gjermane… Pas asaj ndeshje dhe atij sezoni të mbyllur, mbrojtësi shqiptar u zhduk nga panorama futbollistike, duke përfunduar pa kontratë, në mes të katër rrugëve dhe do të ishte Bazeli ai që i hapi dyert për t’i dhënë një tjetër shans dhe mundësinë që të stërvitej dhe të ruante formën, në pritje të një oferte që kurrë nuk erdhi. Si mund të mbetej pa ekip një futbollist vetëm 24-vjeç dhe që konsiderohej i talentuar dhe me prespektivë kur mbante veshur fanelën e Bazelit shumë vite më parë? Një mister të cilit edhe Kristian Panuçi nuk i jepte dot zgjidhje.

Basti i Panuçit – “Më duket shumë e çuditshme që është pa ekip. Unë e konsideroj të rëndësishëm, ndaj e grumbullova që të ketë një mundësi të jetë me ekipin, të stërvitet dhe të qëndrojë në ambient. Edhe nëse mbetet pa ekip pas janarit, do ta grumbulloj sërish në mars”. Kur Kristian Panuçi, trajneri i kombëtares së Shqipërisë, do të mbronte kështu Naser Alijin në konferencën për shtyp pas ndeshjes miqësore të fituar në Turqi, sigurisht që gazetarët u befasuan, jo për faktin se trajneri italian e duartrokiti paraqitjen e tij, por sidomos për atë që kishte dhënë në stërvitje. Dhe, i pyetur më tej nëse do ta grumbullonte edhe në mars në vend që të shihte elementë të tjerë, për miqësoret e vitit 2018, Panuçi do të këmbëngulte me batuta dhe humor: “Unë preferoj Alijin, shpresoj që të gjejë ekip. Ka luajtur me De Biazin, para se të mbetej pa ekip. Më pëlqen Aliji, është zgjedhja ime. Dikujt i pëlqejnë brunet, disa biondet, ç’të bëj. Pasi e pashë Alijin të stërvitej, më pëlqeu edhe më shumë. Pasi bëj dashuri me një femër, më pëlqen edhe më shumë”.

Firma – Por, ka gjithmonë një fund të lumtur për ata që besojnë dhe futbollisti i lindur në Maqedoni dhe rritur në Zvicër deri në fund shpresoi që diçka do të ndodhte në këtë merkato dimërore, edhe pse të shkurtër. Për të pati edhe interesime nga disa skuadra turke, por asgjë konkrete, ashtu sikurse dhe në Gjermani dhe Zvicër, ku Aliji nuk dëshironte të kthehej. Kështu, pas një sërë negociatash, erdhi firma e shumëpritur. Do të luajë në Serinë B me skuadrën e Virtus Entelës. Ende nuk janë bërë me dije detajet e kontratës, por burime pranë lojtarit për “Sport Ekspres” flasin për një kontratë deri në vitin 2021, pra për 3 vjet. Entela ndodhet në vend të 16-të në renditjen e kampionatit dhe lufton për të mos rënë nga kategoria.

Kolonia kuqezi – Aliji është futbollisti i radhës i kombëtares që do të luajë në Itali dhe, më saktësisht, në Serinë B. Aktualisht, në kategorinë e dytë italiane aktivizohen Migjen Basha me Barin, Emanuele Ndoj me Breshian, Armando Vajushi me Pro Verçelin dhe Frederik Veseli me Empolin. Ndërkohë, në Serinë A luajnë Berat Gjimshiti dhe Ledian Memushaj me ekipin e Beneventos, Etrit Berisha me Atalantën, por edhe Elseid Hysaj me fanellën e Napolit dhe Thomas Strakosha me Lacion. Praktikisht, janë plot 9 futbollistë kuqezi mes Serisë A dhe Serisë B, diçka që kurrë më parë nuk është verifikuar dhe ky është një rekord.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *