Përforcim luksi për Feronikelin, pranë firmës me lojtarin e përfaqësueses së Kosovës

Feronikeli, ekipi kampion i IPKO Superligës së Kosovës po bëhet gati për pjesëmarrjen në raundin paraeliminator të UEFA Champions League. Pasi zyrtarizuan rinovimet me pjesën më të madhe të grupit, drejtuesit e skuadrës nga Drenasi kanë hedhur sytë nga merkato për përforcime.

Portali “korneri.net”  raporton se Feronikeli është pranë akordit me lojtarin e përfaqësueses së Kosovës, Anel Rashkaj. 29-vjeçari aktivizohet prej më një viti e gjysmë me suedezët e Eskilstunës. Nëse palët gjejnë akordin, Rashkaj do të jetë përforcimi i dytë në mesfushë për Feronikelin që pak ditë më parë zyrtarizoi firmën me Argjend Malajn.

Më datë 25 qershor Feronikeli do të përballet me Linkoln Red Imps. Në rast të fitores ndaj kampionëve të Gjibraltarit, skuadra nga Drenasi do të ndeshet tri ditë më vonë në finalen e kësaj faze ndaj fituesit të çiftit Tre Pene – Santa Koloma. Të gjitha takimet e kësaj faze do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *