Perfeksion bardhezi, Juve drejt finales

0

Portier gjigant, mbrojtje pefekte, sulm vrasës: çfarë mund t’i kërkohet më shumë Juventusit? Sot bardhezinjtë kanë arritur një fitore të madhe 2-0 në Montekarlo, me dy gola nga Gonzalo Higuain, që është zgjuar në momentin e duhur dhe vazhdon të konfirmohet si një blerje e shkëlqyer, përtej shifrës së frikshme që Juventusi i pagoi Napolit verën e shkuar.

Për Higuainin ishte nata perfekte, sepse më në fund theu edhe një tabu: nuk shënonte prej 7 ndeshjesh rresht në fazën me eliminim direkt në Champions, ku në 24 ndeshje në total kishte shënuar vetëm 2 gola, aq sa shënoi në 90 minutat franceze.

Megjithatë, nuk ishte vetëm mbrëmja e Higuainit, sepse Juventusi konfirmoi se është një tank, në çdo drejtim. 6 ndeshje rresht pa pësuar gol në Champions League, mbi 600 minuta, e bëjnë skuadrën torineze të frikshme dhe pretendente serioze për triumfin final. Dani Alvesh 2 asiste, në rolin e mesfushorit, ishte një tjetër nuhatje perfekte e Masimiliano Alegrit, i cili pak nga pak po bind edhe më skeptikët se është një trajner i madh, jo thjesht dikush i cili ka fatin të drejtojë Juven.

Natyrisht, Monako është inferiore në eksperiencë dhe pritej që të vuante ndaj murit bardhezi, por edhe një sukses kaq i thjeshtë nuk është se pritej nga të gjithë, duke kujtuar se Monako ka sulmin më të frikshëm në Europë për këtë sezon.

Nëse nuk do të ketë ndonjë çmenduri në kthim, Real Madridi dhe Juventusi do të përballen në finalen e madhe, ashtu si dy dekada më parë. A do të ketë hakmarrje bardhezi?

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here