Përfaqësuesja çame, karriera në Francë dhe ëndrrat: Rrëfehet kapiteni Gjeçi

0

Përfaqësuesja e Çamërisë u rendit e katërta në turneun “European Football Cup“, të organizuar nga CONIFA në Armeni. Një turne që ngjalli interesim të madh dhe natyrisht nuk ishte prioritet rezultati final, sepse së pari ishte bashkimi i gjithë njerëzve që ndër shekuj kanë aspiruar pavarësi dhe liri për të jetuar të qetë në tokat e të parëve të tyre.

Një ndër lojtarët më të spikatur te Përfaqësuesja çame ishte padyshim Kevis Gjeçi. 22-vjeçari ka shënuar 2 gola dhe ka dhuruar tre asiste në turneun që sapo u mbyll, madje në dy sfidat e fundit ishte dhe ai që mbante shiritin e kapitenit. Mbi këtë eksperiencë, por jo vetëm, Gjeçi ka folur në një intervistë për “SportEkspres.com“.

ÇAMËRIA – “Përfaqësuesja e Çamërisë është e sapoformuar dhe ftesa që ata më bënë ishte një vlerësim që normalisht duhet ta respektoja. Është një fillim i mbarë, me kalimin e kohës jam i bindur që do të ketë progres.”


GRUMBULLIMI DHE TURNEU NË ARMENI –
“Jemi grumbulluar shumë pak kohë para nisjes për në Armeni dhe nuk kishim periudhën e mjaftueshme për t’u njohur sa duhet me njëri-tjetrin. Sidoqoftë, u ambientuam mirë dhe kemi zhvilluar një turne të kënaqshëm. Në fushën e lojës jemi munduar të kuptohemi dhe kemi dhënë maksimumin, duke marrë parasysh që vinim nga një sezon i gjatë dhe lodhja fizike ndikon jo pak. Turneu ishte një suprizë e bukur, pasi ishte i organizuar mirë në çdo detaj. Një eksperiencë që do të mbetet gjatë në mendjen time.“

Gjeçi përveç paraqitjeve të mira, binte në sy edhe për faktin se në listën e lojtarëve të Çamërisë, ishte i vetmi që vinte nga jashtë Shqipërisë, konkretisht nga Franca, ku luan prej dy vitesh.

LARGIMI NGA SHQIPËRIA – “Çdo lojtar shqiptar ëndërron qe të luajë në Europë dhe kjo më ka bërë te largohem nga Shqipëria, ku për fat të keq jo gjithmonë vlerësohesh aq sa duhet. Në Francë pas disa provave te kaluara me sukses, më hapën dyert dhe të tregohem i sinqertë më kanë pritur shumë mirë. Normalisht fillimi ishte i vështirë edhe për shkak të dokumentacionit, por tani falë edhe presidencës së klubit aktual çdo gjë po shkon shumë mirë.“

KARRIERA NË FRANCË – “Pavarësisht se ekipi im nuk arriti të ngjitej një kategori më lart, sezoni që po lëmë pas ka qenë shumë pozitiv për mua në aspektin individual. Golat dhe paraqitjet e mira, kanë bërë që të kem edhe një ofertë në ´National’ (Liga e tretë franceze), hap i cili do të më ndihmonte akoma më shumë për karrierën time. Sidoqoftë, për momentin nuk mund ta zbuloj emrin e klubit.”

Mesfushori në të shkuarën ka qenë pjesë edhe e Kategorisë së Parë në Shqipëri, ku në sezonin 2015/2016 ka zhvilluar 22 ndeshje (20 prej të cilave si titullar) me Sopotin. Në lidhje me një rikthim të mundshëm në Shqipëri, ai është shprehur:

“Superliga shqiptare është në progres të vazhdueshëm dhe po e rrit nivelin çdo sezon. Për momentin të jem i sinqertë nuk po e mendoj rikthimin në Shqipëri, sepse dua te shkoj sa më lart në Francë ose diku tjetër në Europë, por më vonë nuk i dihet. Shqipëria është vendi im dhe ndoshta një ditë mund të rikthehem.“
OBJEKTIVAT PËR TË ARDHMEN – “Që në moshë të vogël, ëndrra ime ka qenë që familja ime të më shohë teksa luaj në nivelet më të larta të futbollit. Gjithsesi, për momentin bazohem te një parim kryesor: Hapat duhet t’i hedh të vegjël dhe të sigurtë, në mënyrë që të arrij sa më lart.“

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.