“Perez e Bejl jashtë!”, tifozët e Realit kërkojnë një rikthim të bujshëm

Madridi është kthyer në një vullkan, që praktikisht ka shpërthyer pas dy disfatave të fundit në El Clasico, të dyja në Bernabeu, përballë një Barcelone madhështore, por që nuk u duk në maksimumin e vet dhe nuk pati nevojë as për sforcimin maksimal të Lionel Mesit.

Në krahun tjetër, Reali ishte mediokër në aspektin sulmues, duke mos konkretizuar rastet e krijuara dhe duke konfirmuar se largimi i Kristiano Ronaldos ishte një gabim i rëndë. Nuk është vetëm çështja Ronaldo, sepse gjithçka është bërë gabim këtë sezon dhe tashmë tifozët e kanë humbur durimin.

Në shënjestër është presidenti Florentino Perez, që ka shpenzuar miliona për të rinj që nuk dihet a do bëhen ndonjëherë yje të denjë për Realin, por nuk erdhi askush për të zëvendësuar Ronaldon. “Perez fuera” gjëmonte jashtë Bernabeut, por nuk mbaron me kaq, sepse tashmë tifozët i kanë bërë dalje edhe Geret Bejlit, objekt misterioz dhe kurrë pjesë e vërtetë e Realit.

Edhe trajneri Santiago Solari është tashmë një “ish” për tifozët, të tërbuar me trajtimin ndaj Iskos, ndërkohë që sa vijnë e shtohen zërat që duan rikthimin e Zhoze Murinjos në Madrid. Në një klub kaotik, vetëm një si ai mund të vendosë rregull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *