Përcillet në banesën e fundit Vasillaq Zëri, magjistari i topit

Sot në mesditë u zhvilluan homazhet në nderim të Legjendës së futbollit shqiptar, Vasillaq Zërit. Qindra qytetarë të Tiranës, miq, shokë e të afërm të Llaqit dhe bashkëkohës të tij i dhanë lamtumirën e fundit.

Të thinjur dhe të vjetër në moshë, ish-bashkëlojtarë e trajnerë të Vasillaq Zërit dhimbjen e shprehnin qartë, por krenaria që kanë njohur këtë futbollist të madh, një nga më virtuozët e lojës së futbollit në Shqipëri,  shprehej në fytyrat e tyre.

Veç figurave të njohura të Dinamos dhe të Kombëtares, qytetarë të shumtë u përulën para fotografisë mortore, e mes tyre edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dhe Zëvendëspresidenti i FSHF-së, Edvin Libohova.

Kujtimet e vlerësimet për figurën e Vasillaq Zërit e rikthyen në kujtesë atmosferën e viteve të bukura të këtij personaliteti, i cili së bashku me Ilir Përnaskën e Shyqyri Ballgjinin formuan treshen më të madhe të të gjitha kohrave në futbollin shqiptar, ku në mesin e tyre Llaqi ishte “xhongleri” dhe “magjistari” i topit në çdo pozicion.

Natyrisht që ai ka lënë një histori të madhe dhe me vlera në futbollin shqiptar, ndaj dhe sot dhimbja për këtë ikonë është e madhe.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta
“Është një humbje e madhe sot, jo vetëm për familjen e Vasillaq Zërit. Futbolli shqiptar sot me dhimbje të madhe do ta përciellë këtë Legjendë, një nga më të mëdhenjtë në histori, “magjistarin” e topit të futbollit. Llaqi ishte një lojtar kyç i Dinamos dhe i Kombëtares sonë, që së bashku me Përnaskën e Ballgjinin formoi treshën e ëndrrave. Një Legjendë e vërtetë për të cilin fjalët sot janë të vështira për tu thënë. Gjeneratat shoqërisë shqiptare kanë se çfarë të mësojnë nga ky futbollist i madh, por edhe një njeri i tillë”.

Zëvendëspresidenti i FSHF-së, Edvin Libohova
“Me humbjen e Vasillaq Zërit, futbolli shqiptar përciell me dhimbje të madhe një Legjendë. Të gjithë shqiptarët e kohës kur Zëri luajti “magjinë” e tij në futboll e kujtojnë me respekt e nostalgji, bashkëkohësit e ndjekësit e futbollit të tij kanë në kujtesë një futbollist të madh, një njeri të mirë që ja kushtoi jetën tërësisht këtij sporti magjik, siç edhe ai ishte brenda tij. Kontributi i madh i Vasillaq Zërit edhe në institucionin e FSHF-së ende është i prekshëm, dhe brezat në Shqipëri do të kenë shumë se çfarë të mësojnë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *