Përballja/ “Pasuria ime është dy metër katror”! Sinan Idrizi sqaron akuzat nga Turqia: Kam takuar disa herë Erdoganin

Një akuzë e fortë erdhi nga mediat turke, atje ku thuhej se ka ardhur një padi për administratorin e Flamurtarit, Sinan Idrizi. Bëhej fjalë për Adnan Polat, që i kishte dhënë Idrizit rreth 3.5 milionë dollar si kapar për të blerë dhe investuar në një kompani nafte. Në vitin 2017 raportohej në mediat turke, Idrizi i ka thënë Polatit se ishin zgjedhjet dhe për këtë arsye blerja do të shtyhej. Tashmë janë kërkuar paratë mbrapsht, për të rimarrë 3.5 milionë dollarët e hedhura fillimisht.

Sinan Idrizi do të bënte një përballje në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, për të sqaruar të vërtetën e këtyre akuzave. Për ta nisur që me arsyen se u bllokua blerja e kompanisë, teksa Idrizi shprehet se ndodhi për shkak të paaftësisë financiare të Polat. Ndërkohë duke i kthyer edhe një përgjigje gazetarit dhe moderatorit të emisionit për pasurinë që zotëron.

Blendi Fevziu:  “Përse nuk u ble kompania?”.

Sinan Idrizi:  “Kompania nuk u ble për shkak të paaftësisë financiare të zotit Polat për të paguar pjesën e plotë të kontratës. Në momentin që nuk u financua nga banka, më kërkoi se çfarë do të bëjmë. I kam kërkuar para 1 muaj e gjysmë që të zgjidhë situatën.”

Blendi Fevziu: “Po çfarë lidhje kanë zgjedhjet me mos blerjen e kompanisë dhe që i ke thënë ti Polatit?”.

Sinan Idrizi: “Është një mashtrim ordiner, nuk e kam thënë një gjë të tillë”.

Blendi Fevziu tregon akuzat nga PD për lidhjet Rama-Idrizi dhe partneriti në “Air Albania”

Sinan Idrizi: “Përpara se të bëhem partner atje, kam 5 vite që investoj te Flamurtari pa marrë asgjë nga buxheti i shtetit. Jemi të vetmit që nuk kemi marrë asnjë lekë nga fondet publike, qoftë te klubi dhe te investimi i “Air Albania”.

Blendi Fevziu: “E vërtet apo legjendë urbane që keni takuar Erdoganin?

Sinan Idrizi: “Jam i lumtur që e kam takuar Erdoganin dhe kam bërë disa takime me një lider botëror”.

Blendi Fevziu: “Çfarë takimesh, takime pune, apo takime ku janë 100 vetë dhe i jep dorën?”

Sinan Idrizi: “Edhe kjo mund të jetë. Kam rreth 30 vjet që kam bërë takime të llojit të tillë”.

Blendi Fevziu: “Çfarë raportesh keni me Kryeministrin e Shqipërisë?”

Sinan Idrizi: “Me deputetin e Vlorës? Kam raporte shumë miqësore.”

Blendi Fevziu: “Nuk mund të rri pa bërë edhe një pyetje tipike shqiptare. Sa i pasur jeni?”.

Sinan Idrizi: “Meqë jemi në ditët e Ramazanit, po të them që pasuria ime është dy metër katror”.

Blendi Fevziu: “Jo ajo është pasuria e të gjithëve në fund. Por unë po them që sa vleni si biznesmen?”.

Sinan Idrizi: “Nuk e di, kam probleme me aritmetikën”.

Blendi Fevziu: “Por kur keni probleme me të, si jeni bërë kaq i pasur?”.

Sinan Idrizi: “Nuk kam për të treguar se çfarë kam dhe çfarë bëj. Atë vlerësojeni ju. Nuk është normale”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *