Për Panuçin lojtarët janë të lodhur, Bushi: Jashtë forme se nuk luajnë

Trajneri i Shqipërisë Kristian Panuçi e ka justifikuar humbjen ndaj Ukrainës, ashtu si atë ndaj Kosovës, me frazat e zakonshme: “Mungonte zjarri. Në fund të sezonit lojtarët ishin shumë të lodhur, kishin bërë 15 ditë pushim pastaj erdhën në kombëtare. Mua nuk më pëlqen të gjej justifikime, por bateritë ishin të shkarkuara”.

Nga fjalë të tilla, duket sikur Panuçi po flet për lojtarët e Realit dhe Liverpulit, që kanë luajtur 60 ndeshje dhe tani duhet të shtrydhen edhe për Botërorin.

Gjithsesi, faktet janë kokëforta, shumica e lojtarëve tanë janë rezerva në ekipet ku luajnë dhe vetëm justifikimi i mungesave të rëndësishme qëndron.

Pak a shumë të njëjtën gjë thotë edhe trajneri i Shpresave Alban Bushi, i cili në një intervistë për “RTSH Sport” flet edhe për momentin e zi të kombëtares së madhe, që në fakt ka më shumë përgjegjësi për rezultate sesa Shpresat, që nga ana e vet janë gjithashtu duke pësuar shumë humbje, por të paktën Bushi ka justifikimin se mendon vetëm të evidentojë lojtarë.

“E mirëkuptoj Panuçin, megjithëse ai i ka lojtarët, por këta të fundit nuk dalin dot në formën e tyre, pasi nuk kanë minuta në këmbë. Shqipëria nuk ka nxjerrë mbrojtës dhe është shumë keq”.

“Kemi ftuar shumë lojtarë të rinj të datëlindjes 1998-99, sepse sezonin tjetër në muajin mars të 2019, do të luajmë me këtë datëlindje. Duke parë që dolëm jashtë objektivave dhe 5 veta kanë shkuar në ekipin A, kemi marrë lojtarë të rinj për t’i parë në ardhmen. Në grumbullimin tjetër do t’u kushtoj vëmendje lojtarëve të datëlindjes 2000. Ndaj Bjellorusisë nuk na intereson rezultati, por të fitojmë lojtarët, megjithëse trajnerët hyjnë në ndeshje për të fituar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *