Për Mustedanagiç, Skënderbeu s’ka asnjë shans

Xhemal Mustedanagiç, ish-lojtar i brezit të artë të gjigantëve kroatë, vlerëson ekipin shqiptar, por mendon se Dinamo është shumë më lart

Shtypi kroat, më saktë e përditshmja “Slobodna dalmacija”, i ka kushtuar një artikull ndeshjes së nesërme mes Dinamos së Zagrebit dhe Skënderbeut. Bie në sy fakti se shtypi sportiv kroat nuk i jep asnjë shans ekipi korçar. Ja çfarë shkuan konkretisht:

Kur gjatë hedhjes së shortit në Nion u shfaq emri i Skënderbeut, te Dinamo e Zagrebit nuk e fshehën kënaqësinë. Nënkampionët e Kroacisë janë favoritë absolutë në këtë sfidë të “play-off”-it në Europa League. Për më tepër, Dinamo ka kujtime të freskëta të ndeshjes me kundërshtarin e radhës, pasi është ndeshur dy vjet më parë me Skënderbeun, por për “play-off”-in e Championsit.
Dy vjet më parë kroatët ishin dukshëm më lart, i fituan të dyja ndeshjet: 1-2 jashtë fushe dhe 4-1 në Zagreb. Çfarë ka ndryshuar në dy sezonet e fundit? Të dy klubet kanë ndryshuar trajnerët. Në skuadrën kroate janë 6 lojtarë nga Dinamoja e dy viteve më parë dhe konkretisht Antoliç, Sigali, Soudani, Fernandes, Hoxhiç dhe Çoriç. Nga ana tjetër, te Skënderbeu janë ende Shehi, Radas, Jashanica, Nimaga, Vangjeli, Lilaj, Latifi dhe Abazi. Dinamo është pa dyshim më e dobët në raport me ekipin e dy vjetëve më parë. I mungojnë lojtarë si Eduardo, Pinto, Rog, Pjaca dhe Mashado.

MUSTEDANAGIÇ – “Por edhe Skënderbeu është më i dobët, sepse nuk ka goleadorin Hamdi Salihi (për shkak dëmtimi nuk luajti në Zagreb). Shqiptarët kanë një ekip solid, janë të shpejtë, por edhe kanë shumë kohë që luajnë bashkë. Kanë zhvilluar deri tani gjashtë ndeshje kualifikuese për Europa League. Por Dinamo është pa dyshim favorite absolute. Ka lojtarë me cilësi dhe konkurrenca është e madhe. Nëse Dinamo përsërit lojën e ndeshjes së fundit me Rijekën, Skënderbeu nuk do të ketë shanse”, – thotë Xhemal Mustedanagiç, një ish-lojtar i brezit legjendar të Dinamos të vitit 1982, por edhe një njohës i futbollit shqiptar.

STATISTIKAT – Dinamo është favorite kundër shqiptarëve dhe në statistika. Që nga viti 2006, kroatët kanë shkuar çdo vit në “play-off” të Championsit ose Europa League dhe vetëm dy herë kanë dështuar; në vitin 2006, kur humbën betejën me Okesrin, dhe në vitin 2013, në “play-off”-in për Champions ndaj Austrisë së Vienës. Në të njëjtën kohë, Skënderbeu nuk ka kaluar në “play-off”-in e Championsit dy vjet më parë, pas eliminimit nga Dinamo, por më pas luajti në grupet e Europa League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *