“Për mua si rrufe në qiell të hapur”, Esat Mala shikon anën e mirë për Partizanin: T’i thërrasim mendjes

Esat Mala është një nga lojtarët më të mirë në Superiore. Për fatin e keq të Partizanit, drejtuesit menduan që ta dërgonin në ekipin e dytë për t’i dhënë një leksion, por shkuan menjëherë për ta marrë kur kishin nevojën për të. Në një intervistë për “Fan Zone”, mesfushori është shprehur se Koronavirusi mund të bëjë mirë për gjithë skuadrën që të reflektojë dhe kthjellohet disi, nisur nga rezultatet e dobëta.

“Për mua ardhja e pandemisë ishte si një rrufe në qiell të hapur. Unë sapo isha kthyer te ekipi i parë i Partizanit dhe po stërvitesha nga ditë në ditë, për t’u shfaqur sa më mirë. Ndërsa sa i përket Partizanit, kjo shërben për të reflektuar dhe që t’i thërrasim mendjes, pasi nuk po shkonim mirë në kohët. Kishim disa ecuri të mira dhe pastaj një ulje të performancës. Besoj se kjo që ndodhi mund të na bëj edhe mirë për t’u kthjelluar disi”, tha Esat Mala. /Sport Ekspres/