Për herë të parë i ka tifozët e Milanit kundër, Maldini i prerë për trajnerin Giampaolo

Katër humbje në gjashtë ndeshje. A mund të kishte më keq se kaq për Milanin në këtë fillim kampionati? Ndoshta po, ndoshta jo. E keqja nuk ka fund, ashtu siç u pa edhe ndaj Fiorentinës. Pas humbjes me rezultatin 1-3, tifozët e lanë stadiumin që pa u mbyllur ndeshja. Praktikisht, ky ishte fundi.

Të gjithë kundër trajnerit Giampaolo, ndërsa një legjendë me post drejtuesi si Paolo Maldini i jep mbështetje të plotë dhe nuk vë në diskutim shkarkimin, duke pasur ndoshta për herë të parë tifozët e Milanit kundër.

“Trajneri ishte një zgjedhje e përbashkët e jona, ne do ta mbrojmë gjithmonë. Vetëm t’i japim kohë, ai ka një ekip të ri dhe ne e dinim për problemet që mund të kishim. Me siguri nuk kemi menduar të sjellim në shtëpi katër humbje në gjashtë ndeshje . Duket se nuk do të ketë rrugëdalje, ne duhet të përmirësojmë lojën që nuk rrjedh ashtu siç duhet dhe madje edhe lojtarët duhet të bëjnë autokritikë.

Faji qëndron te kompania, trajneri dhe lojtarët. Kanë të drejtë që tifozët janë larguar nga San Siro. Tifozët gjithmonë kanë duartrokitur dhe na kanë mbështetur, besoj se sot ishte thjesht një reagim për atë që panë. Ne nuk kemi nevojë për shumë fjalë, por jemi vetëm në ditën e gjashtë dhe e dimë se situatat kthehen në një kohë të shkurtër”, ka thënë Maldini. /Sport Ekspres/