Pepa i bën për vete shkodranët me një eurogol

0

 

Blerja më e re e Vllaznisë, entuziazmon drejtuesit kuqeblu me paraqitjet bindëse që në seancat e para stërvitore, çka tregon se Cungu nuk ka gabuar me pikasjen e tij në merkato

 

Gaspër MARKU

Vetëm dita e katërt e stërvitjes së Vllaznisë, dhe për njërin nga blerjet e këtij sezoni në kampin kuqeblu, sulmuesin Brunild Pepa po dalin në pah vlerat e tij si futbollist. Në fakt, që kur nisën bisedimet e lojtarit me drejtuesit e Vllaznisë, të cilët i ofruan një kontratë, në kampin shkodran kishte një opinion pozitiv që ish-sulmuesi i Bylisit ka parametrat e duhur teknik dhe fizik për të kontribuar në vijën e parë të sulmit kuqeblu, aty ku Vllaznia ka kohë që përpiqet të gjejë lojtarin e duhur që e çon skuadrën te goli. Dhe, megjithëse se është herët të dalim në këto konkluzione, duket realiteti që po shfaq lushnjari Pepa në seancat stërvitore po përligj gjithçka. Duke lënë pas dy seancat e para të zhvilluara në fushën sportive të Shtojit, të cilat në një farë mënyre ishin edhe në formën e shkrythjes, ajo që e ka evidentuar më së miri Pepën ka qenë përformanca e shfaqur në dy seancat e tjera të radhës që kuqeblutë i zhvilluan në “Reshit Rusi”. Sidomos kjo e djeshmja, që për efekt të festes së Bajramit stafi teknik e zhvendosi në orët e mëngjesit të paradites, për Pepën ka qenë me të vërtetë brilante. Temperaturat e larta, por edhe ngarkesat fizike që sa vijnë e shtohen nga ana tjetër bëjnë, gjendja e sportistëve të rëndohet jo pak. Këto i përkasin sidomos vrapimeve të ndara në grup përreth fushës shoqëruar edhe me sprinte, por për hir të së vërtetës kur trajneri Cungu merr në dorë jelekët e ndarjes së formacioneve për të nisur ndeshjen e kontrollit në të gjithë hapësirën e fushës, situata ndryshon tërësisht. Kështu ndodhi edhe dje, kur të gjithë futbollistët pa përjashtim, përfshirë edhe ato që kanë ardhur për provë bëjnë të gjitha përpjekjet e duhura për të dhënë më të mirën e tyre.

Gol i Pepës – Por, referuar edhe personazhit të sotëm, lushnjarit Brunild Pepa që në Shkodër ka mbërritur për llogari të sulmit kuqeblu, momenti më i bukur dhe tejet pikant i ka takuar atij në të martë. Në një depërtim të ndërmarrë po prej tij në drejtim të portës kundërshtare, ndërhyrja e parregullt pak pa mbërritur në hyrje të zonës për zv.trajnerin kuqeblu, Aleksandër Maxhar është vlerësuar me goditje dënimi. Autorësinë e kësaj goditjeje standarde e ka marrë përsipër vetë Pepa. Një ekzekutim tejet perfekt, ku topi pasi kalon mbi mur përfundon drejtpërdrejt në rrjetë, lart në trekëndëshin e majtë të portierit kosovar, Avdyli. Në çast, duartrokitjet e të gjithë lojtarëve në fushën e lojës nuk kanë munguar, teksa të tilla kanë qenë edhe në radhët e të pranishmëve që po ndiqnin nga afër ndeshjen e kontrollit të kuqebluve. Ndërkohë, patjetër, lëvizje ka pasur edhe në pankinë, aty ku tekniku Cungu dhe trajneri i portierëve Dani pasi kanë shijuar golin spektakël të Brunild Pepës janë parë të shprehin kënaqësinë e momentit në komunikimin mes tyre. Nuk është e vështirë të kuptohet, që jo vetëm tekniku Cungu, që thuhet se ka qenë i pari që e ka pikasur këtë futbollist nga sezoni i kaluar i Superligës, duke ia rekomanduar drejtuesve për të hyrë në bisedime merkatoje, por të gjithë sa janë në kampin kuqeblu duket se janë të këtij mendimi për vlerat e këtij futbollisti. Vlera, që nuk kanë munguar, por vetëm në 3-4 seancat e para stërvitore të shpalosen më së miri në fushën e lojës. Mjaft domethënëse është edhe një foto e shkrepur në përfundim të ndeshjes së kontrollit dhe që shoqëron edhe shkrimin në fjalë, ku ashtu si edhe kolegët e tjerë kuqeblu, portieri Selimaj duket qartë që pozon me Pepën duke bërë të ditur se “ky është ai që Vllaznia priste!”

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here