Guardiola: Harruam të sulmonim, rekord pasimesh pa asnjë ide

Mançester Siti nuk ishte mundur asnjëherë këtë sezon në fushën e vet dhe humbjen e fundit e kishte pësuar në dhjetor 2016, 36 ndeshje më parë. Për fatin e “Bluve”, disfata ndaj Bazelit ishte pa pasoja, sepse kualifikimi ishte vendosur që në Bazel. Megjithatë, trajneri i Sitit, Pep Guardiola, është realist, kur pas ndeshjes deklaroi se rekordi i pasimeve nuk vlen, nëse nuk krijon lojë sulmuese: “Në pjesën e parë ishim shumë mirë, në pjesën e dytë harruam të sulmonim, harruam të luanim. Kur ne e pasojmë topin, e bëjmë për të ecur përpara dhe për të krijuar hapësirat për të sulmuar, jo thjesht për të vendosur rekord pasimesh boshe, si bëmë kundër Bazelit. Në pjesën e dytë ishim keq, shumë keq”.

Gjithsesi, edhe Guardiola e pranon se fitorja në Bazel kishte deformuar ndeshjen e kthimit: “Nuk është e lehtë të luash pasi ke fituar 4-0 jashtë fushe. Ne u munduam, biseduam për këtë dhe mendoj se në pjesën e parë treguam se dëshironim ta fitonim ndeshjen. Ne krijuam shumë shanse dhe ishim mirë. Megjithatë, pas 45 minutave të para nuk bëmë më asgjë, vetëm pasime kot dhe ai nuk është futboll”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *