Pelegrini lojtari i momentit, Roma gati rinovimin

Lorenco Pelegrini po kalon një moment shumë të mirë me Romën. 22-vjeçari shënoi golin e avantazhit në fitoren 3-1 në derbin përballë Lacios dhe po shijon formën e mirë e mirë, pas një nisje të vështirë të sezonit.

Lojtari refuzoi ofertat e klubeve të Juventus, Mançester Junajtid, Inter dhe Milan, me këta të fundit që ishin gati të paguanin më shumë se 30 milionë euro (klauzola e largimit) për shërbimet e tij. Lorenco, i cili është pjesë e klubit të Romës që në moshën 10-vjeçare, po luan në rolin e trekuartistit, rol që i pëlqen shumë dhe ku po jep më të mirën e tij.

Pelegrini i ka bindur të gjithë dhe drejtori Monçi ka programuar një takim me lojtarin për t’i ofruar rinovimin e kontratës. Kontrata aktuale i skadon në vitin 2022 dhe ka një klauzolë prej 30 milionë eurosh, ndërsa Roma është gati për t’i ofruar kontratën e re, që do sillte dhe rritjen e klauzolës së tij, sepse nuk mund të humbasësh një lojtar 22-vjeçar me kualitet për një shumë të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *