Pele: Maradona shumë më i mirë se Mesi, Nejmar nuk mendon vetëm për futbollin

Braziliani legjendar Edson Arantes do Nascimento, ‘Pelé’, ka dhënë një intervistë për të përditshmen Folha de Sao Paulo, ku ndër të tjera ka krahasuar dy yjet argjentinas Maradona e Mesi, si dhe ka kritikuar Nejmarin.

“Nejmar është futbollist fenomenal, por nuk mund ta mbrosh për ato që bën jashtë fushe. Kam folur me të, i kam thënë që Zoti i ka dhuruar talentin, por gjithçka ai bën jashtë futbollit ia ndërlikon jetën. Jo rastësisht në Europë të gjithë flasin për Mbape, edhe pse unë mendoj se Nejmar është futbollist më i mirë. As fati nuk e ka ndihmuar, sepse nuk ia ka dalë të triumfojë me Brazilin”.

Pele ka fjalë të bukura për rivalin e tij historik Diego Maradona, për të cilin thotë se ka një marrëdhënie shumë të mirë, përtej ngacmimeve në distancë në të shkuarën.

“Maradona është ndër futbollistët më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë. Nëse më pyesni kush është më i mirë, Maradona apo Mesi, unë them Maradona. Shumë më i mirë. Edhe Bekenbauer e Krujf kanë qenë fantastikë”, u shpreh 78-vjeçari, i cili ka kryer 3 operacione vitet e fundit dhe tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Nuk ndjej më dhimbje, jam shumë mirë, por natyrisht nuk jam shumë i fuqishëm fizikisht. Kam pasur këmbë të mira, por shihni is janë katandisur”, thotë duke qeshur 3-herë kampioni i botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *