Pekerman nuk i druhet Anglisë, edhe nëse mungon ylli i Kolumbisë

Trajneri i Kolumbisë Hoze Pekerman është shfaqur shumë optimist në prag të ndeshjes kundër Anglisë, duke besuar te kualifikimi, edhe nëse nuk do të luajë ylli i skuadrës amerikano-jugore, mesfushori Hames Rodrigez, i cili me shumë gjasa do ta nisë nga stoli.

Pekerman nuk zbuloi asnjë në lidhje me formacionin, duke fshehur shkallën  dëmtimit të Hamesit, i cili mungoi në stërvitjen e së hënës.

Rodrigez u dëmtua në pulpë në ndeshjen e fundit n grup, kundër Senegalit, dhe duket se do ta nisë nga stoli, por Pekerman është shumë i qetë, pasi ka besim të plotë te zëvendësuesi i tij Luis Muriel.

“Morëm lajme të mira nga kontrollet mjekësore dhe do të shohim si Hames do të ndihet para ndeshjes. Natyrisht, do të luajë nëse është në formë të plotë, por do të vendosim një orë para ndeshjes”.

“Gjithsesi, Muriel është gati, ishte i shkëlqyer ndaj Senegalit, ka cilësi të jashtëzakonshme, ritëm të shkëlqyer dhe teknikisht është shumë i talentuar”.

Pekerman tha se skuadra e tij është mësuar të luajë nën presion: “Kemi vuajtur shumë, sepse ne ishim ekipi i vetëm që humbi në ndeshjen e parë dhe më pas u kualifikua. Natyrisht,është avantazh i madh të lësh lojtarët pushim në ndeshjen e tretë, si bëri Anglia, sepse në Kupën e Botës nuk ke shumë ditë në dispozicion për të pushuar. Megjithatë, ne kemi luajtur ndeshje shumë të forta dhe kemi treguar se jemi të fortë dhe me besim të madh në forcat tona. Kështu, kompensohet fakti që Anglia është më e freskët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *