Pejiç: Kukësi, një pikë vlen flori në Korçë

Sulmuesi kroat: Nuk e mendoj fundin e karrierës. Kukësi, më i fortë mua. Telushi duhet të ketë më shumë minuta në këmbë

Jurgen Zela

Pero Pejiç, të gjithë e njohin dhe vështirë se janë harruar golat e tij. “Bomberi” kroat luan aktualisht te Belupo në Koraci, por nuk lë jashtë fokusit dhe Superioren. Ishte pikërisht një Kukësi-Skënderbeu ku kroati firmosi golat e fundit në Superiore, por që vlenin një titull për Kukësin. Tashmë Pejiç flet për “Sport Ekspres” si një “ish” teksa analizon takimin e nesërm. Kroati thekson se Kukësi duhet që së paku duhet të marrë një pikë në këtë takim. Njëkohësisht beson se kampionët do të kishin bërë më mirë, nëse do të kishin besuar dhe këtë edicion te aftësitë e tij. E ardhmja? Pejiç nuk e mendon tërheqjen pavarësisht se ka 35 vite mbi shpinë, por bën diplomatin në lidhje me të ardhmen në Shqipëri apo jo. Nuk mungon dhe një koment për shokun e skuadrës Bruno Telushi.

Pero, luani në Kroaci, një kampionat më i fortë se ky Shqiptar, si po shkon aventura atje?  

Po, në Kroaci kampionati është më i fortë. Tani jam përshtatur mjaft mirë këtu. Po kaloj mjaft mirë dhe jam i lumtur.

Mendoni se i mungon Pejiçit më shumë Superiores, apo Superiores i mungon Pejiç?

Besoj që të dy bashkë (qesh). Kam kaluar shumë vite në Shqipëri dhe mund të them se kam kaluar gjithmonë në mënyrë perfekte. Kam shënuar shumë gola.

Luhet Kukësi-Skënderbeu, skuadra që ju jeni shpallur kampion si e shihni këtë?

Vjet arrita që me Kukësin të merrnim kampionatin në një sfidë të tillë. Tani është shumë ndryshe, pasi Kukësi është 6 pikë pas Skënderbeut. E rëndësishme për Kukësin është që të mos e humbasë këtë ndeshje. Edhe barazimi besoj se do të ishte mirë për Kukësin. Kampionati është i gjatë dhe them se më pas Kukësi do të kishte mundësi që të afrohej me Skënderbeun.

Besoni se me Pejiç Kukësi do të ishte më mirë?

Mendoj se po, sepse gjithmonë shënoja gola dhe ndihmoja ekipin.

Një humbje e Kukësit do e nxirrte nga lufta për titull?

Kukësi aktualisht është 6 pikë pas Skënderbeut dhe nëse do të humbiste do të shkonte 9. Presioni më pas do të kalonte i gjithi te Kukësi. Për Kukësin e shoh shumë të mirë dhe barazimin, pasi më pas do të ishte kampionati i hapur.

Kush mund ta zgjidhë këtë takim?

Nuk mund të jap një parashikim, apo kush shënon, por di të them se është një ndeshje shumë e fortë.

Pejiç e mbyll karrierën në Kroaci apo në Shqipëri?

Nuk e mendoj fundin e karrierës, sepse jam shumë mirë me fizikun dhe nuk kam dëmtime, çka është e rëndësishme për një futbollist. Jetoj në një mënyrë profesionale, nuk e mendoj ku do ta mbyll karrierën. Unë jam në kontratë deri në qershor me skuadrën ku luaj aktualisht.

Luani bashkë me Bruno Telushin në një skuadër, por ai nuk po luan. Çfarë po ndodh me të?

Kohët e fundit Bruno ka luajtur pak, pro mendoj se është një lojtar shumë i mirë dhe them se do e tregojë dhe këtu në Kroaci. Nuk e di se pse po luan pak.

Mund të largohet në janar?

Për të është e rëndësishme që të luajë, pasi nuk është mirë për të që të qëndrojë në stol të gjitha ndeshjet. Është lojtar i ri dhe ka nevojë për minuta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *