Pejana Elezi në botën e futbollit, historia e bukuroshes “bardheblu”

Pejana Elezi është një nga moderatoret e reja të ekranit sportiv në Shqipëri. E bukur, e qeshur dhe njëkohësisht tepër e shkathët. Ka një pasion të veçantë për sportin, veçanërisht për futbollin, pas të cilit është e përkushtuar. Këto cilësi e bëjnë të jetë edhe më e zonja në punën e saj. Por jo vetëm kaq, pasi ka një sjellje tepër pozitive që jo çdo vajzë e ekranit e ka.

Për më shumë se një vit ajo është bërë pjesë e gazetarisë sportive dhe ka fituar jo pak popullaritet.

Dëshira për t’u bërë pjesë e medias nuk ka qenë rastësore, pasi 27-vjeçarja është rritur në stadiumin “bardheblu”, si një ultrase e vërtetë e 24 herë kampionëve të vendit. E natyrisht, kur i erdhi propozimi për të punuar në këtë fushë, nuk mund të thoshte “jo”.

FËMIJËRIA DHE FAMILJA – Pejana ka lindur në qytetin e Pukës, më 28 gusht të vitit 1991. Por vendlindja e saj nuk ka aspak lidhje me origjinën (që është Tirana). Siç tregon ajo, e ëma udhëtoi drejt qytetit verior që të kishte një lindje më të sigurt në spitalin ku punonte kunata e saj (halla e Pejanës). Kjo e fundit jetonte aty, pasi ishte e martuar me një pukjan.

“Që mami të ishte më e sigurt gjatë lindjes, vendosi të shkonte në Pukë. Jo pa arsye, duke marrë parasysh edhe rrëmujën e Tiranës në vitin 1991. Mbas lindjes ndenja vetëm 3 ditë atje dhe më pas erdha menjëherë në vendin e origjinës”-shprehet ajo.

Si vajzë e vetme, prindërit janë kujdesur gjithmonë që bukuroshes të mos i mungojë asgjë. E siç thotë edhe vetë Pejana, familja e ka mbështetur në çdo hap që ka hedhur deri më tani.

“Unë vij nga një familje tiranase dhe shumë mund të mendojnë  që janë fanatikë, por për fatin tim të madh im atë mund të ketë kaluar kufijtë e të qenurit liberal dhe gjithmonë më ka mbështetur”- tregon Pejana.


ARSIMI
– Edhe pse ushtron profesionin e gazetares, 27-vjeçarja nuk ka përfunduar studimet e larta në Shkenca Komunikimi. Në fakt, ajo është diplomuar për Gjuhën Spanjolle në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe ka kryer masterin për Komunikim Turizëm. Ndaj, edhe simpatia për Barcelonën, Spanjën dhe Andre Iniestën nuk ka lindur kot. Natyrisht, studimet në spanjisht e kanë shtyrë që ta pëlqejmë shumë futbollin e bukur që luhet në gadishullin iberik.

EKSPERIENCA NË TV SI GAZETARE SPORTIVE – Para se të bëhej pjesë e ekranit sportiv, Pejana ka qenë e angazhuar në fushën e “PR”-it, botës së modelingut, ndërsa ku ka qenë edhe imazhi i një“club”-i në Tiranë. Mirëpo, gjithmonë e ka gjetur kohën për të ndjekur ekipin e saj të zemrës në stadium. Ndaj, një ditë të bukur i erdhi oferta për të lënë “Fanatiks”-at dhe ta shihte futbollin me syrin e një gazetareje.

“Si ndjekëse e futbollit, kam qenë e ftuar në disa emisione dhe nga aty më erdhi edhe ftesa për të provuar këtë eksperiencë. E pranova pa u menduar dy herë. Unë nuk e shoh gazetarinë sportive vetëm në aspektin sportiv, ka shumë kënaqësi të tjera që të jep kur merresh më këtë punë. Veçanërisht futbolli, që është sporti që unë e mbuloj dhe për mua i kalon kufijtë e një aktiviteti sportiv. Padyshim është krijuar për të bashkuar njerëzit dhe për të sjellë gëzim”- pohon Pejana.

Aventura në botën e futbollit duket se ka zgjuar shumë emocione pozitive te bukuroshja, e cila shprehet e kënaqur me këtë profesion. Megjithëse i merr shumë kohë nga përditshmëria, gjithmonë ajo gjen kohë edhe për t’u kujdesur për fizikun.

“Nuk e kam luksin të kem shumë kohë, por mundohem shpesh të dal për ecje. Puna në zyrë dhe ecja me makinë na ka bërë shumë përtacë, ndërsa palestrën nuk e preferoj”-shprehet Elezi.

SHEMBUJT NE GAZETARI – Tashmë në Shqipëri, numri i moderatorëve sportive është shtuar dhe thuajse çdo vit fytyra të reja bëhen pjesë e emisioneve sportive. Mirëpo, Pejana si një ndjekëse e rregullt e futbollit që në fëmijëri, veçon dy prej tyre:kolegen e saj në“RTSH”, Hygerta Sakon, si dhe Vilma Mashën e “Supersport”.Për të ato janë tepër të përgatitura dhe nuk e përdorin këtë punë për të reklamuar vetën.

Pejana është e vetëdijshme se televizioni kërkon edhe imazhin, por për të e rëndësishme është të jesh e informuar. 27-vjeçarja do preferonte më shumë ta përkufizonin të zgjuar dhe jo tërheqëse, sesa të bukur e pa mend.

“Në këtë mënyrë është edukuar shoqëria jonë. Jemi ne ata që lobojmë kundër paragjykimeve dhe sërish ne që ofendojmë dikë duke e vlerësuar nga pamja e jashtme. Unë mendoj se njeriu duhet vlerësuar nga inteligjenca”-shton Pejana.

DHUNA NË STADIUME – Pa tifozeri nuk ka kuptim futbolli, por nganjëherë dhuna është ajo që e shpërfytyron këtë lojë të bukur. Një problem që e hasim edhe në kampionatin tonë. Sipas Pejanes është thjesht reflektimi i sjelljeve që shumica e shqiptarëve ka në ambiente të tjera.
“Në Shqipëri kemi maninë të shajmë dhe të përdorim dhunën edhe kur bëhet fjalë për kontekste argëtuese si futbolli. Në stadiumet tona mund të shohësh për 90 minuta një mllef të madh që mbajnë njerëzit brenda vetes dhe e shfryjnë atë pikërisht atje”- thotë gazetarja sportive.

FUTBOLLISTËT ‘DON ZHUANË’ – Si një vajzë e bukur dhe tepër tërheqëse edhe nga ana fizike, nuk mund të mos binte në syrin e futbollistëve. Natyrisht, komplimentet janë të shumta për të, por ajo di si të ruajë marrëdhënien gazetar-futbollist. Pejana i cilëson “ngacmimet” normale, pasi ndodhin në të gjithë botën dhe janë pjesë e pandashme në fushën e sportit. Lojtarët e Tiranës janë më “Don Zhuanë”, ndërsa më simpatikët ajo konsideron të Skënderbeut.

PERSONAZHI MË INTERESANT – E pyetur se cili është personazhi më interesant që ka intervistuar deri më tani, ajo veçon trajnerin e Tiranës, ish-lojtarin brazilian të Interit, Ze Marinë. Personalitet që, sipas saj, rrallë herë do të vijë ndonjë tjetër si ai në vendin tonë. Përsa i përket presidentëve, ajo veçon Ardian Takajn e Skënderbeut dhe Refik Halilin e Tiranës. Për Pejanën, ata janë dy ndër më të përgatiturit dhe biznesmenët që kanë kontribuar shumë në futboll, duke kaluar një kalvar vështirësish.

E ARDHMJA– Aventura e re në gazetarinë sportive është kthyer në një nga gjërat më të rëndësishme në jetën e saj. Pasioni për futbollin e mban lidhur bukuroshen me këtë punë dhe natyrisht që dhe në të ardhmen dëshiron që të jetës pjesë e ekranit. /Përgatiti: EMA VAKËFLLIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *