Pavarësisht nga gjithçka, Superiorja po prodhon për Kombëtaren

Jemi mësuar ta hedhim poshtë me duart tona atë që vetë e ndërtojmë. Këtë ide na krijuan javët e fundit që kemi parë në Superiore, ku ndeshjet e forta burrërore mund t’i numëronim me gishtat e njërës dorë. Gjithsesi, çudia më e madhe tre ditë zgjat dhe nga fillimi i sezonit të ardhshëm do të ndërtojmë vërtet një kampionat të fortë e me shumë rivalitet, derisa të vijë momenti që ta ndotim po vetë.

Pavarësisht gjithçkaje, niveli në Superiore është rritur goxha, madje tani kanë nisur që dhe skuadrat e huaja ata fusin Shqipërinë në listën e shteteve ku mund të peshkojnë ndonjë lojtar premtues. Këto ditë në Zyrih të Zvicrës është grumbulluar Kombëtarja e Shqipërisë, me teknikun Kristian Panuçi, që po mendon për ndeshjet zyrtare të shtatorit. Spikat lista e italianit, me emra të rinj, por dhe me mungesa.

Një tjetër detaj është për t’u veçuar, pasi nga 23 lojtarët që janë në grumbullim, plot 11 prej tyre kanë qenë ose janë pjesë e Superiores. Ishim mësuar që në Kombëtare lojtarët e Superiores të ishin tabu, madje edhe tani sërish nuk mund të thuhet që qëndrimi në elitën e futbollit shqiptar të garanton ftesa në të ardhmen, por këtë herë Panuçi ndoshta dhe pa e ditur në listë ka më shumë se 50% të skuadrës të afirmuar në Superligën Shqiptare.

Alban Hoxha, Sabien Lilaj, Kristal Abazaj, Sindrit Guri, Gentian Selmani dhe Enis Gavazaj kanë shkuar në këtë grumbullim me statusin e lojtarëve që aktivizohen në Shqipëri. Guri dhe Abazaj do të largohen në verë, ndërsa nuk përjashtohet që të njëjtën rrugë të kenë dhe pjesa tjetër e këtyre lojtarëve. Po ashtu edhe Odise Roshi, Armando Vajushi, Sokol Cikalleshi, Ylber Ramadani dhe Bekim Balaj kanë pasur në të shkuarën eksperienca në elitën e futbollit shqiptar. Një detaj interesant, që tregon se dhe te ne prodhohet, ndërtohet, por kur kujton javët e fundit edhe…shkatërrohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *